Prishtinë, 28 maj, Zhurnal.mk – Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për një fushatë të qetë e korrekte, ndërsa Qeverisë në detyrë që të mos i shpërdorojë resurset shtetërore për garë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Hamza tha se pushteti ka përgjegjësi që të garantojë barazi dhe ndershmëri në zgjedhje, duke shtuar se nuk duhet lejuar përdorimi i resurseve shtetërore në funksion të fushatës.
“Sot më 28 maj, në Ferizaj do të hapim zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e datës 7 qershor. Në orën 20:00, në sheshin te komuna e Ferizajt, ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen. Po hyjmë në këtë fushatë me respekt për qytetarët, me besim te demokracia, dhe me vizion të qartë për ta nxjerr Kosovën nga kriza. Prandaj, dua të iu bëj thirrje të gjitha partive politike që kjo fushatë të jetë e qetë, demokratike, me korrektësi të ndërsjellë dhe me respekt për standardet e zgjedhjeve të lira”, tha Hamza.
I pari i PDK-së, prezantoi pesë zotimet kryesore të programit të PDK-së: çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset; investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja; shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar; arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë; si dhe drejtësi e pavarur, e paanshme dhe efikase.
“Programi i Partisë Demokratike të Kosovës është një program konkret, i matshëm dhe i realizueshëm, i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai trajton me seriozitet të gjitha çështjet me rëndësi jetike për shtetin dhe qytetarët, me një qëllim të vetëm: një jetë më të mirë për secilin”, theksoi Hamza.
“Do të ketë rritje pagash për 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme, jo veç ndihmë në kohë të fushatave zgjedhore, që qytetarët e Kosovës të kenë ndihmë dhe të kenë parashikueshmëri. Kjo nuk i bie që punëtorët e sektorit publik ta marrin një pagë më shumë në vit. Kjo i bie që t’i marrin gjashtë paga më shumë. Dikush që sot e ka pagën 900 euro, i bie që t’i marrë 1350 euro me rritjen e pagës. Ai që e ka 800 i bie me i marrë 1200. Do të ketë rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë”, u zotua ai.
“Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për garë idesh, jo për gjuhë të urrejtjes. Për program dhe përgjegjësi dhe assesi me përçarje dhe përplasje”, shtoi Hamza.
Ai ftoi qytetarët që sot t’i bashkohen tubimit hapës të fushatës së PDK-së në Ferizaj.
“Sot, më 28 maj, nga Ferizaj, do ta hapim zyrtarisht fushatën tonë zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në ora 20:00, në sheshin para Komunës së Ferizajt, ftoj qytetarët nga Ferizaj dhe gjithë Kosova të bashkohen me ne në hapjen e këtij rrugëtimi të ri për Kosovën. Po hyjmë në këtë fushatë me respekt për qytetarët, me besim tek demokracia dhe me vizion të qartë për ta nxjerrë Kosovën nga kriza”, tha ai.
