Mali i Zi, 28 maj, Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Mali i Zi dhe kryetari i lëvizjes qytetare “URA”, Dritan Abazoviq, foli për situatën politike dhe shoqërore në këtë vend, duke u ndalur edhe te krimi i organizuar dhe personat e përfshirë në shumë veprime të dyshimta.
Duke folur në emisionin “Slobodna zona”, Abazoviqi komentoi edhe publikimin e fundit të videove eksplicite në publik, ku ishte përfshirë ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, Mirjana Pajkoviq.
Duke pasur parasysh se në videot e publikuara shfaqeshin shumë figura të njohura në Mal të Zi, Abazoviqi u pyet nëse ekziston ndonjë video ku shfaqet edhe ai.
“Nuk jam unë. Ju e dini, unë kam kaluar gjithçka. Për mua ishte një avantazh i madh që gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam qenë njeri familjar. E kuptova menjëherë çfarë duan të bëjnë këta njerëz nga krimi i organizuar”, tha duke buzëqeshur Abazoviq.
Ai theksoi gjithashtu se është plotësisht i qetë sa i përket gjithë situatës.
“Gjithmonë jam larg situatave. Jam shumë i kënaqur. Jam plotësisht i relaksuar dhe po shijoj gjithçka”, deklaroi ish-kryeministri.
Në fund, ai tha se shumë persona nga jeta politike mund të përballen me probleme për shkak të videove të ngjashme.
“Nuk mund të flas dhe as nuk di shumë për këtë. Do të shohim. Ju kam thënë se ka njerëz që mund të jenë në telashe. Nuk do të thotë patjetër se do të jenë, por mund të jenë”, përfundoi ish-kryeministri i Malit të Zi.
Në fillim të këtij viti, një skandal seksual kishte tronditur skenën politike malazeze, pasi në rrjetet sociale janë shpërndarë video dhe foto me përmbajtje intime, të cilat pretendohet se përfshijnë dy ish-zyrtarë të lartë shtetërorë – Mirjana Pajkoviq, ish-sekretare shtetit, dhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.
