Haxhiu: Të rinjtë në RMV po paguajnë dështimet e politikës shqiptare ndër vite, kritikon rolin e Kosovës dhe Shqipërisë

Nga B.M
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Analisti Baton Haxhiu, në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar protestën e studentëve shqiptarë në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e Juridikut, duke e cilësuar situatën si pasojë të dështimeve të klasës politike shqiptare ndër vite, transmeton Zhurnal.mk.

Duke iu drejtuar organizatorit të protestës, Mevlan Ademi, Haxhiu shprehu keqardhje që brezi i ri duhet të përballet me çështje që, sipas tij, duhej të ishin zgjidhur shumë më herët.

“Më vjen keq si gjeneratë që të ka rënë mbi supe të protestosh për një gjë elementare, por është faji i gjeneratave politike që nuk e kanë rregulluar të qenurit shqiptar në Kushtetutë. Duhet ta filloni jetën si në 1991 dhe më vjen keq që Mickoski me nacionalizmin e tij pragmatik e ka fragmentarizuar politikën shqiptare. Realisht fajin për këtë e kanë partitë shqiptare. Dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova, nuk bëjnë atë që shtetet përreth bëjnë për grupet e tyre etnike”, u shpreh Haxhiu.

Ai shtoi se edhe udhëheqësit politikë shqiptarë në të kaluarën kanë pasur mundësi të zgjidhin çështje kyçe përmes ligjit, por nuk e kanë bërë këtë.

“Ali Ahmeti e ka projektuar idenë e fuqisë me armë, por i ka pasur të gjitha mundësitë që t’i bëjë me ligj. Ato ligje për gjuhën janë për grupe deri në 20 për qind dhe është turp që të përcaktohet për shqiptarët që janë mbi 25 për qind”, deklaroi ai.

Haxhiu kritikoi gjithashtu politikën e jashtme të Shqipërisë, duke e cilësuar si të dobët në raport me mbështetjen për shqiptarët jashtë kufijve.

“Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë e dobët për grupet etnike, sepse ka qenë pragmatike për rrugën evropiane, dhe ju po e mbartni barrën kryesore në kërkimin e të drejtave, ndërkohë që jeni fragmentarizuar. Kosova e ka bërë më të keqe”, theksoi Haxhiu.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës ka rikthyer debat të gjerë në opinionin publik në Maqedonia e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër