Uashintong, 16 prill, Zhurnal.mk – Uashingtoni do të vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane për aq kohë sa të jetë e nevojshme, deklaroi sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke paralajmëruar Teheranin për pasoja të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje, së shpejti.
“Për aq kohë sa të jetë e nevojshme, ne do ta mbajmë këtë bllokadë, e cila po funksionon”, tha Hegseth gjatë një konference për shtyp në Pentagon.
“Në rast të “zgjedhjes së gabuar” nga ana e Iranit, SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës energjetike dhe elektrike të vendit”,shtoi ai.
Bllokada, e vendosur që nga e hëna, erdhi pas dështimit të raundit të parë të negociatave SHBA–Iran në Islamabad, të udhëhequra nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.
Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Dan Caine, sqaroi se masa zbatohet për të gjitha anijet, pavarësisht kombësisë, që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një bllokadë të porteve dhe jo të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tij, deri më tani, 13 anije kanë vendosur të kthehen mbrapsht për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
“Mesazhi i Uashingtonit është i qartë: çdo shkelje e bllokadës mund të përballet me përdorim force. Kapitenët e anijeve mund ta ndiejnë presionin përreth tyre”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Hegseth akuzoi Teheranin se po përpiqet të rikuperojë pajisje ushtarake të dëmtuara gjatë më shumë se pesë javëve sulmesh të përbashkëta amerikano-izraelite.
Sipas tij, Irani nuk ka më kapacitet industrial për të rindërtuar arsenalin e tij ushtarak.
Ndërkohë, komandanti i forcave amerikane për Lindjen e Mesme, admirali Brad Cooper, konfirmoi se SHBA-ja po shfrytëzon armëpushimin, në fuqi që prej 8 prillit, për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake.
“Po riarmatosim, po ripajisemi dhe po përshtasim strategjitë, teknikat dhe procedurat tona”, tha ai.
