Xhakarta, 16 prill, Zhurnal.mk – Zyrtari kryesor i Indonezisë, përgjegjës për luftën kundër korrupsionit në administratën shtetërore, është arrestuar vetëm pesë ditë pas marrjes së detyrës, nën akuzat për marrje ryshfeti, njoftoi sot zyra e prokurorit të përgjithshëm.
Hery Susanto, i emëruar në këtë post të premten e kaluar nga presidenti indonezian Prabowo Subianto, u arrestua pasi dyshohet se ka pranuar ryshfet nga një kompani që operon në industrinë e nikelit.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i hetimeve në zyrën e prokurorit të përgjithshëm, Syarief Sulaeman Nahdi.
Sipas hetimeve, Susanto akuzohet se ka përfituar rreth 1,5 miliardë rupiah (afërsisht 88 mijë dollarë), në një periudhë kur mbante një post më të ulët në të njëjtin institucion.
“Ne kryem kontroll dhe e arrestuam gjatë natës në banesën e tij, duke e vendosur në paraburgim”, deklaroi Syarief për mediat në Xhakarta.
Pamjet e publikuara e tregojnë Susanton para gazetarëve, i veshur me jelekun rozë, simbolikë e përdorur zakonisht për të dyshuarit për korrupsion në vend.
Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënim me burg.
Indonezia zotëron rezervat më të mëdha të nikelit në botë dhe është prodhuesi kryesor global i këtij metali, i cili përdoret gjerësisht në prodhimin e baterive për automjete elektrike dhe çelik inox.
