Shkup, 26 gusht – Maqedonia e Veriut është përballur me një betejë të vërtetë me elementin e zjarrit në 24 orët e fundit. Sipas informacioneve nga Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), gjithsej 23 zjarre janë regjistruar në sipërfaqe të hapura midis 25 dhe 26 gushtit. Nga këto zjarre, një është ende aktiv, dy janë vënë nën kontroll, ndërsa zjarrfikësit dhe shërbimet kompetente kanë arritur të shuajnë njëzet zjarre të tjera, shkruan “Zhurnal.mk”.
Situata më e rëndë mbetet në komunën e Dolnenit, ku një zjarr ka përfshirë një pyll të përzier pranë fshatit Dolgaec dhe është ende aktiv. Zjarri atje po e mban në ankth komunitetin vendas, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen ta parandalojnë përhapjen e tij.
Njëzet zjarret e mbetura, të cilat përfshinë pjesë të ndryshme të vendit, u shuan falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve dhe mobilizimit të shërbimeve.
Edhe pse zjarrfikësit arritën të shuajnë shumicën e vatrave të nxehta, situata mbetet serioze dhe QMK-ja apelon për kujdes dhe përgjegjësi tek qytetarët, pasi çdo veprim i papërgjegjshëm mund të shkaktojë një katastrofë të re.
Në të gjithë vendin është shpallur gjendje krize, të cilën Qeveria e zgjati edhe për 30 ditë të tjera në një seancë më 7 gusht.
Për të forcuar kapacitetet e zjarrfikësve, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, nëpërmjet komunave, nënshkroi kontrata me 352 qytetarë që aplikuan në thirrjen e fundit për trajnimin e zjarrfikësve. Kandidatë në 13 qytete në vend kanë filluar trajnimin, i cili pritet të plotësojë pozicionet në 28 komuna. Nga 50 kandidatë që aplikuan në Shkup, 34 persona filluan trajnimin, ndërsa pjesa tjetër, u eliminuan në përzgjedhjen administrative për shkak të dokumentacionit jo të plotë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Një helikopter policie dhe një helikopter ushtarak kanë ndihmuar gjatë gjithë verës, ngjashëm sikur edhe air-traktorët nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore.
Edhe këtë sezon në Maqedoninë e Veriut kanë arritur ndihma të ndryshme nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Zjarrëfikës kishin ardhur të ndihmonin në shuarjen e zjarreve nga Çekia e Sllovakia, ndërsa së fundmi ishin edhe 60 zjarrëfikës nga Sllovenia që kishin ardhur me 18 automjete përmespikës kufitare Tabanoc për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Forcat speciale të ushtrisë dhe policisë nga njësitë elitare “Ujqërit” dhe “Tigrat”, kryesisht alpinistë, janë gjithashtu të vendosura në terren, duke punuar në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për të pastruar zonën dhe për të vënë zjarrin nën kontroll.
Aktualisht, disa zjarre janë ende aktive në vend, por sipas informacioneve nga institucionet kompetente, ato janë të sigurta dhe prekin vetëm bimësinë e ulët, barin dhe shkurret.
Por, puna e zjarrëfikësve konsiderohet ndër më të vështirat, sidomos gjatë sezonit të verës kur në Maqedoninë e Veriut është bërë praktikë të ndizen zjarre të shumta gjatë verës. Zjarret ndizen në forma të ndryshme, por shumica e tyre si shkaktar kanë faktorin njeri.
Megjithatë, zjarrëfikësit janë ndoshta të vetmit që gjatë kësaj periudhe nuk kanë aspak pushim, gjatë gjithë kohës vazhdojnë të jenë në stres për punën e tyre dhe janë gjatë gjithë verës në gjendje gatishmërie. Çdo ditë në luftë me zjarret, zjarrëfikësit meritojnë më shumë për këtë sakrificë.
Përveç se u bënë punësime të reja, momentalisht për zjarrëfikëist nuk ka asnjë dobi tjetër. Të gjithë punojnë me kushte të vështira, me makina të vjetruara, me pajisje jo të mjaftueshme.
Nga ana tjetër në Mal të Zi, qeveria ka vendosur që zjarrëfikësve t’iu ndajë shpërblime nga 1500 euro dhe pushim 7 ditor pa pagesë në qendrat e tyre të relaksimit.
Prandaj është koha e fundit që këto zjarrëfikës të shpërblehen dhe të inkurajohen në të ardhmen për punën e tyre që e bëjnë, sepse veprimet e tyre janë heroike!, shkruan “Zhurnal.mk”.
