Italia drejt energjisë bërthamore, Dhoma e Deputetëve miraton ligjin, reaktorët e parë gati në vitet 2034-2035

Nga Xh M
929 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 4 qershor Zhurnal.mk – Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore. Dhoma e Deputetëve miratoi ligjin kuadër që i hap rrugën qeverisë të hartojë rregullat për prodhimin e energjisë bërthamore, kërkimin shkencor dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive.

Projektligji mori 155 vota pro dhe 86 kundër, ndërsa tashmë pritet shqyrtimi dhe miratimi përfundimtar në Senat.

Pas kalimit në të dyja dhomat e Parlamentit, qeveria do të ketë kompetenca më të gjera për zhvillimin e sektorit bërthamor civil. Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, deklaroi se dekretet zbatuese të kësaj kornize ligjore pritet të jenë gati deri në fund të vitit.

Sipas tij, reaktorët e parë funksionalë në Itali mund të nisin punën gjatë viteve 2034 dhe 2035. Ai theksoi se qëllimi është garantimi i sigurisë energjetike të vendit për dekadat e ardhshme.

Ministri sqaroi se projektligji lidhet vetëm me përdorimin civil të energjisë bërthamore dhe jo me qëllime ushtarake.

Sipas tij, kërkesa për energji do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme për shkak të zhvillimit të industrisë dhe qendrave të të dhënave.

Për këtë arsye, Italia synon të kombinojë energjinë bërthamore me burimet e rinovueshme dhe hidrogjenin për të përballuar nevojat e ardhshme energjetike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër