Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, mori pjesë në panel diskutimin
kushtuar Raportit për Rritjen dhe Vendet e Punës, të cilin Banka Botërore e ka përgatitur për
Maqedoninë dhe i cili sot u prezantua në prani të disa përfaqësuesve të qeverisë, si dhe
përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe atij të biznesit në vend.
“Konstatimi se cilësia e arsimit kërkon përmirësime të konsiderueshme qëndron në themel të
reformave që po ndërmerren, duke filluar nga arsimi fillor e deri te arsimi i lartë. Jemi të
fokusuar në eliminimin e dobësive sistemike dhe të gjitha reformat janë urgjente, sepse si
vend në zhvillim nuk mund të lejojmë të humbim potencialin njerëzor”, tha Janevska, duke iu
përgjigjur pyetjes se cilat ndryshime janë prioritare për lehtësimin e kalimit nga arsimi në
punësim.
Ministërja theksoi se Qeveria aktuale kujdeset për avancimin e infrastrukturës arsimore, në të
cilën gjatë dy viteve janë investuar 70 milionë euro. Po furnizohen programe të reja
mësimore dhe tekste shkollore, si dhe po punohet për rritjen e motivimit të kuadrit mësimor
përmes rritjes së pagave dhe ofrimit të më shumë mundësive për zhvillim në karrierë dhe
profesional.Në arsimin fillor po zbatohet program për orientim profesional, ndërsa në arsimin
e mesëm po emërohen këshilltarë për karrierë, të cilët i orientojnë të rinjtë drejt fushave në të
cilat kanë potencial. Aftësitë digjitale dhe inteligjenca artificiale janë pjesë e disa kurrikulave,
ndërsa po punohet edhe për integrimin e aftësive për tranzicionin e gjelbër.
Janevska veçoi arsimin dual në shkollat e mesme profesionale si modelin tonë më të
suksesshëm arsimor dhe tha se ai do të vazhdojë të zgjerohet në më shumë shkolla, por edhe
në nivele më të larta të arsimit.
“Arsimin e mesëm dual e realizojmë në bashkëpunim me agjencinë gjermane dhe zvicerane
për zhvillim, si dhe me Suedinë dhe Austrinë, dhe për këto kuadro pothuajse në tërësi është
siguruar punësimi te punëdhënësit ku është realizuar arsimi dhe trajnimi praktik. Nëse këtë
model e zbatojmë edhe në arsimin e lartë, jam e sigurt se edhe aty do të japë rezultate. Në
fakt, një pjesë e fakulteteve tashmë po lidhen me shpejtësi me kompanitë dhe po i dërgojnë
nxënësit në trajnime praktike te këta punëdhënës potencialë”, shtoi ministrja.
Gjithashtu rikujtoi se me Propozim-ligjin e ri për Arsimin e Lartë përfshihen studimet
profesionale të ciklit të parë, studimeve profesionale të specializuara të ciklit të dytë dhe
studimeve të shkurtra profesionale. Ligji është ende në procedurë parlamentare dhe shprehu
pritshmërinë se, për shkak të rëndësisë së tij, do të miratohet sa më shpejt dhe se zbatimi i tij
do ta forcojë lidhjen ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.
“Na pret një punë e përbashkët me komunitetin akademik në drejtim të sigurimit të
relevancës së programeve dhe ndjekjes së rezultateve të të diplomuarve. Na pret ende shumë
angazhim, i cili do të rezultojë në një ndryshim të të kuptuarit të diplomës si qëllim
përfundimtar. Qëllimi është ta përfshijmë potencialin e të rinjve në formësimin e së ardhmes,
të tyre, por edhe të ardhmes sonë të përbashkët”, theksoi Janevska.
Në panel diskutimin folën edhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska,
zëvendësambasadori i BE-së në Maqedoni, Ben Nupnau, si dhe Viktor Mizo nga kompania
KOSTAL., Paraprakisht fjalim hyrës gjatë prezantimit të Raportit mbajti Kryeministri Prof.
Dr. Hristijan Mickoski.
