Tokio, 21 prill Zhurnal.mk – Qeveria japoneze ka lehtësuar kufizimet disadekadëshe për eksportin e armëve, duke shënuar një tjetër largim nga kursi pacifist që vendi ndoqi pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ndryshimet, të miratuara nga kabineti dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, synojnë të forcojnë bashkëpunimin e sigurisë me vendet partnere”, raportoi sot agjencia e lajmeve “Kyodo”.
Sipas raportimeve, Japonia do të lejohet në të ardhmen të eksportojë armë me kapacitete vdekjeprurëse drejt vendeve, me të cilat ka marrëveshje të caktuara mbrojtjeje.
Në raste të veçanta, eksportet mund të zgjerohen edhe në zona konflikti.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi konsiderohet një figurë me qëndrime të forta në politikën e sigurisë.
Lehtësimi i rregullave shihet gjithashtu si një përpjekje për të zgjeruar industrinë vendase të mbrojtjes, pasi kompanitë japoneze, deri më tani, kanë qenë kryesisht të kufizuara në prodhimin për forcat e armatosura të vendit.
Koreja e Veriut dhe Kina, të cilat po zgjerojnë me shpejtësi kapacitetet e tyre ushtarake, perceptohen gjithnjë e më shumë si kërcënime për Japoninë.
Siguria kombëtare e Tokios mbështetet në masë të madhe te vendi aleat i saj tradicional, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, që prej fillimit të mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump, Uashingtoni shihet gjithnjë e më tepër si një partner i pasigurt, pasi Trump ka vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur garancitë e sigurisë së SHBA-së ndaj aleatëve.
