Tiranë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, priti sot delegacionin e Parlamentit Europian, të përbërë nga eurodeputetët Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të cilët shprehën interesin për t’u informuar drejtpërdrejt mbi situatën që lidhet me projektin e mundshëm në zonën Nartë–Zvërnec.
Gjatë takimit, ministri Jaupaj paraqiti gjendjen aktuale të procesit, duke bërë të qartë se deri më sot nuk është depozituar asnjë projekt-propozim përfundimtar pranë institucioneve përgjegjëse dhe nuk ka nisur asnjë aktivitet ndërtimor, pasi nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi.
Jaupaj theksoi se ministria e Mjedisit po ndjek me vëmendje maksimale çdo aspekt të këtij procesi dhe se çdo zhvillim i mundshëm do të trajtohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe acquis të Bashkimit Europian.
Ministri Jaupaj garantoi eurodeputetët se, në rast se paraqitet një projekt për shqyrtim, ai do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis, të realizuar mbi bazën e standardeve më të larta profesionale, me transparencë të plotë, konsultim publik dhe pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve kompetente.
Ministri Jaupaj nënvizoi se Ministria e Mjedisit është plotësisht e angazhuar të ndjekë me rigorozitet çdo fazë të procedurës, duke garantuar që çdo vendimmarrje të mbështetet në prova shkencore, ekspertizë të specializuar dhe respektim të plotë të legjislacionit në fuqi. Ai theksoi se mbrojtja e biodiversitetit, habitateve natyrore, specieve të mbrojtura dhe integritetit ekologjik të zonës do të mbetet një prioritet i panegociueshëm gjatë gjithë procesit.
Gjithashtu, ministri riafirmoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai kujtoi se, në kuadër të përmbushjes së kritereve për mbylljen e Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, vendi ynë ka detyrimin të harmonizojë plotësisht legjislacionin mjedisor me atë të Bashkimit Europian dhe të garantojë zbatimin e standardeve europiane në çdo vendimmarrje që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë frymë, ministri Jaupaj informoi eurodeputetët se institucionet shqiptare do të vijojnë të veprojnë me transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe në përputhje me të gjitha detyrimet që burojnë nga legjislacioni kombëtar dhe ai i Bashkimit Europian, duke garantuar se çdo vendim do të marrë në konsideratë, në radhë të parë, mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
