Pejë, 29 tetor Zhurnal.mk – Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, në deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026 ka deklaruar një sërë pronash të paluajtshme në emër të bashkëshortit, një veturë në emër të saj dhe një tjetër në emër të fëmijëve, si dhe të ardhura nga paga, përvoja e punës dhe udhëtimet zyrtare.
Sipas formularit të publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Vuçetaj ka deklaruar gjithsej 12 pasuri të paluajtshme, përfshirë tokë, kullosa, shtëpi, pyll, livadh, arë, truall dhe pishinë.
Pasuria e paluajtshme me vlerën më të lartë të deklaruar është një arë prej 4.001 metrash katrorë, e trashëguar në vitin 2019 nga gjyshja e bashkëshortit, me vlerë prej 160 mijë eurosh. Në formular thuhet se kjo pasuri është në pronësi të bashkëshortit, me pjesëmarrje prej një të tretës.
Në emër të bashkëshortit është deklaruar edhe një shtëpi prej 240 metrash katrorë, e ndërtuar në vitin 2001 nga kursimet, me vlerë prej 140 mijë eurosh.
Po ashtu, bashkëshorti ka deklaruar një tokë prej 625 metrash katrorë, të blerë në vitin 2009 nga kursimet, me vlerë prej 15 mijë eurosh.
Prona të trashëguara nga familja e bashkëshortit
Në deklarim figurojnë disa prona të trashëguara në vitin 2019 nga gjyshja e bashkëshortit.
Bëhet fjalë për kullosa prej 64.401 metrash katrorë, me vlerë prej 64 mijë eurosh, ku bashkëshorti ka pjesëmarrje prej 1/27.
Një tjetër kullosë prej 1.126 metrash katrorë është deklaruar me vlerë prej 44 mijë eurosh, ndërsa një kullosë prej 229 metrash katrorë ka vlerë prej 10 mijë eurosh. Në të dyja rastet, bashkëshorti ka pjesëmarrje prej një të tretës.
Në emër të tij figurojnë edhe një kullosë prej 3.634 metrash katrorë, me vlerë prej 36 mijë eurosh, një pyll prej 30.823 metrash katrorë, me vlerë prej 31 mijë eurosh, si dhe një livadh prej 12.884 metrash katrorë, me vlerë prej 58 mijë eurosh.
Gjithashtu, është deklaruar një kullosë prej 5.911 metrash katrorë, me vlerë prej 60 mijë eurosh, dhe një truall prej 1.256 metrash katrorë, me vlerë prej 54 mijë eurosh.
Për këto prona, formulari specifikon se janë trashëguar nga gjyshja e bashkëshortit, ndërsa pjesëmarrja e tij ndryshon nga një e treta në 1/27, varësisht nga prona
Në deklarim figuron edhe një pishinë prej 50 metrash katrorë, e ndërtuar në vitin 2022 me kredi bankare, me vlerë prej 40 mijë eurosh. Kjo pasuri është deklaruar në pronësi të përbashkët.
Dy vetura në deklarimin e pasurisë
Sa i përket pasurisë së luajtshme me vlerë mbi 3.000 euro, Vuçetaj ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz, të blerë në vitin 2011 nga kursimet, me vlerë prej 12.500 eurosh. Vetura figuron në pronësi të deklarueses.
Në formular është deklaruar edhe një BMË, e blerë në vitin 2019 me kredi, me vlerë prej 8.000 eurosh. Kjo veturë figuron në pronësi të fëmijëve me të cilët jeton në bashkësi familjare.
Në rubrikat për aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë dhe kriptovaluta nuk janë paraqitur të dhëna.
Kreditë dhe detyrimet financiare
Në deklarimin e pasurisë, kryeprokurorja ka paraqitur edhe disa detyrime financiare ndaj institucioneve bankare.
Ajo ka deklaruar një kredi prej 30 mijë eurosh, të marrë në Bankën Kombëtare Tregtare më 28 qershor 2022, për ndërtimin e pishinës. Kredia kishte afat 36 muaj dhe në formular figuron me vlerë të mbetur zero euro.
Po në të njëjtën bankë, Vuçetaj ka deklaruar një kredi prej 4.000 eurosh për nevoja personale, të marrë më 26 janar 2023, me vlerë të mbetur prej 121.24 eurosh.
Një tjetër kredi prej 4.000 eurosh për nevoja personale është marrë më 29 korrik 2024, me afat deri më 29 dhjetor 2027. Në deklarim, vlera e mbetur e kësaj kredie është 2.525.33 euro.
Në emër të bashkëshortit është deklaruar një kredi prej 10 mijë eurosh në TEB, për ndërtimin e pishinës, me vlerë të mbetur prej 3.326.47 eurosh.
Gjithashtu, në emër të bashkëshortit figuron një kredi prej 600 eurosh në KEP Trust, për nevoja personale, e cila në formular paraqitet me vlerë të mbetur zero euro.
Mbi 34 mijë euro të ardhura personale
Në rubrikën e të ardhurave vjetore personale, Vuçetaj ka deklaruar 27.561.12 euro nga pagat neto përmes listës së pagave, të financuara nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Për përvojën e punës ka deklaruar edhe 1.534.56 euro.
Ndërsa nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në formular figurojnë të ardhura nga udhëtimet në Shqipëri, Kroaci dhe Francë.
Për udhëtimin zyrtar në Shqipëri janë deklaruar 281 euro, ndërsa për dy udhëtime në Kroaci, përkatësisht 412.35 euro dhe 278.50 euro.
Nga Këshilli i Evropës, për udhëtimin zyrtar në Francë, janë deklaruar 633.75 euro, ndërsa nga buxheti i Republikës së Kosovës për një tjetër udhëtim në Francë figurojnë 184 euro.
Në total, të ardhurat personale të deklaruara nga paga, përvoja e punës dhe meditjet për udhëtime zyrtare arrijnë në 30.885.28 euro.
Në formular, Vuçetaj ka deklaruar se nuk ka të hyra të tjera për të deklaruar në rubrikën e parave të gatshme.
Të ardhurat e bashkëshortit dhe fëmijëve
Në deklarimin e të ardhurave familjare, bashkëshorti i Vuçetajt ka deklaruar 4.800 euro nga pagat neto përmes listës së pagave, nga subjekti juridik “Semitronix” në Pejë.
Ai ka deklaruar edhe 1.200 euro për mirëmbajtje administrative nga “Zelfije I. Gashi” B.I., të pranuara në para të gatshme.
Ndërsa për fëmijët me të cilët jeton në bashkësi familjare, në formular figurojnë 1.800 euro nga pensionet për personat me aftësi të kufizuara, të financuara nga buxheti i Kosovës.
Po ashtu, janë deklaruar 7.312.32 euro nga pagat neto përmes listës së pagave, nga kompania “Gjirafa”.
Sipas formularit, Vuçetaj është emëruar në pozitën e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë më 27 dhjetor 2012. Deklarimi i pasurisë është dorëzuar më 16 mars 2026 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Burimi: botasot.info
