Tiranë, 29 tetor Zhurnal.mk – Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për miratimin e listës së rishikuar dhe të përditësuar të monumenteve të natyrës shqiptare, duke propozuar heqjen e 59 objekteve dhe përfshirjen e 26 të tjerave. Procesi synon të pasqyrojë gjendjen aktuale të monumenteve në terren, të përditësojë koordinatat gjeografike dhe të rishikojë statusin e objekteve që nuk ruajnë më vlerat natyrore për të cilat janë shpallur të mbrojtura.
Sipas relacionit shpjegues të projektvendimit, lista aktuale përmban 721 monumente natyre, nga të cilat 297 biomonumente dhe 424 gjeomonumente. Rishikimi është kryer në kuadër të detyrimit ligjor për rivlerësimin e listës çdo pesë vjet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM).
“Procesi synon rivlerësimin e monumenteve ekzistuese, pasqyrimin e gjendjes së tyre aktuale në terren dhe përditësimin e dokumentacionit teknik e gjeohapësinor”, thuhet në relacion.
Për 59 monumentet e propozuara për heqje, dokumenti evidenton disa arsye, përfshirë dëmtimin e rëndë ose zhdukjen e objektit natyror, prerjen, tharjen apo djegien e elementeve të mbrojtura dhe humbjen e karakteristikave që justifikojnë statusin e mbrojtjes.
Sipas relacionit, ndër faktorët e identifikuar janë erozioni, rrëshqitjet e dheut, kushtet ekstreme të motit dhe ndryshimet hidromorfologjike, si dhe ndërhyrjet njerëzore. Këto të fundit përfshijnë ndërtimet, nxjerrjen e inerteve, prerjet, ndotjen dhe shfrytëzimin e paautorizuar.
Ndër rastet konkrete të përmendura është monumenti “Vidhat te Pusi i Markajve”, në qarkun Shkodër, për të cilin është konstatuar se objekti nuk ekziston më në vendndodhjen përkatëse. Po ashtu, për “Shpellën e Gurit të Kuq”, në fshatin Muhurr të Dibrës, relacioni evidenton se hyrja është bllokuar nga depozitimet e inerteve që lidhen me aktivitetin e nxjerrjes së gurit. Kjo gjendje ka pamundësuar vlerësimin e plotë të brendësisë së shpellës dhe është mbajtur propozimi për heqjen e saj nga lista.
Një tjetër rast është zona Vlashaj në qarkun Dibër, e shpallur monument natyre me sipërfaqe 50 hektarë në vitin 1996. Sipas informacionit të përcjellë nga AdZM Dibër, zona ka pësuar dëmtime gjatë viteve të tranzicionit dhe gjendja aktuale nuk justifikon vijimin e statusit të mbrojtjes. Për këtë arsye, është propozuar heqja e saj nga lista.
26 objekte të reja të propozuara
Përveç propozimeve për heqje, procesi ka evidentuar 26 objekte natyrore për t’u përfshirë në listën e monumenteve të natyrës. Sipas relacionit, përzgjedhja është mbështetur në eksplorimin në terren, analizën e të dhënave shkencore, rekomandimet e institucioneve akademike dhe sugjerimet e komuniteteve vendore.
Në vlerësimin e tyre janë marrë në konsideratë veçantia e formacioneve gjeologjike, burimeve ujore, pyjeve monumentale dhe habitateve të rralla, si dhe potenciali për kërkim shkencor, monitorim të biodiversitetit dhe rëndësia peizazhore e kulturore.
Relacioni evidenton gjithashtu se disa monumente janë rikonfirmuar pas verifikimeve në terren. Në qarkun Shkodër, për shembull, janë konfirmuar pesë objekte: “Gështenjat e Reçit”, “Lisi i Cilikojve”, “Shpella e Husit dhe Pusit”, “Shpella e Kataraktit” dhe “Shpella e Zanave”.
Ndërkohë, për “Habitatin e Tulipanit Shqiptar” (Tulipa albanica), në qarkun Kukës, monitorimi i kryer gjatë periudhës së lulëzimit në vitin 2026 ka konstatuar gjendje të mirë të habitatit, pa ndryshime të dukshme në sipërfaqe dhe pa shenja të evidentuara të dëmtimit të numrit të individëve të species krahasuar me momentin e shpalljes./ Monitor
