Shkup, 3 maj, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës drejtore e Zyrës së UNFPA në Maqedoninë e Veriut, Jovanka Brajoviq Grigorijeviq, thekson se nuk ekziston një zgjidhje e thjeshtë dhe e menjëhershme për sfidën e rënies së popullsisë, duke bërë thirrje për politika afatgjata dhe gjithëpërfshirëse.
Në një intervistë për MIA, ajo vlerëson se qeveritë duhet të krijojnë kushte që të rinjtë të ndihen të sigurt dhe të kenë besim për të planifikuar të ardhmen e tyre.
Sipas saj, është e domosdoshme që vendet të përshtatin sistemet e tyre dhe të investojnë në kapitalin njerëzor, përfshirë shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin e aftësive të popullsisë.
“Një popullsi e shëndetshme, e arsimuar mirë dhe e aftë i ndihmon vendet të përparojnë”, theksoi Brajoviq Grigorijeviq, përcjell Zhurnal.mk.
Ajo shtoi se krijimi i një mjedisi socio-ekonomik stabil është kyç për përballimin e sfidave demografike, duke nënvizuar se vetëm përmes investimeve të qëndrueshme në njerëz mund të sigurohet zhvillimi afatgjatë i shoqërisë.
