Prishtinë, 20 qershor Zhurnal.mk – Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka sqaruar procedurat kushtetuese që duhet të ndiqen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk mund të zvarritet përtej afatit prej 30 ditësh. Sipas tij, menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ushtruesja e detyrës së presidentes ka detyrim kushtetues që brenda 30 ditëve të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Kryeziu theksoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë se jo vetëm thirrja e seancës, por edhe përfundimi i procesit të konstituimit duhet të ndodhë brenda këtij afati, duke mos lënë hapësirë për bllokada të pafundme institucionale. “Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda 30 ditëve, atëherë vendi hyn në një proces të ri zgjedhor”, deklaroi ai. Në të njëjtën kohë, Kryeziu vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se administrimi i procesit zgjedhor është realizuar sipas standardeve evropiane dhe ka dëshmuar pjekuri institucionale.
Kadri Kryeziu: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja
539
