Kasami në Top Channel: Provimet profesionale do të jepen në gjuhën shqipe, Fillkov nuk mund ta ndalojë këtë proces

Nga B.M
646 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë/Tetovë, 19 maj, Zhurnal.mk – Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami, deklaroi se studentët në Maqedonia e Veriut do të mund t’i japin të gjitha provimet profesionale në gjuhën shqipe, duke theksuar se për këtë çështje ekziston dakordim me kryeministrin e vendit.

Në një intervistë për Top Channel, Kasami tha se VLEN ka marrë përgjegjësi për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, përfshirë edhe provimin e jurisprudencës.

“Kemi dakordësi me kryeministrin që të gjitha provimet për përgatitje profesionale të jepen në gjuhën shqipe. Është proces që ka të bëjë me harmonizimin e të gjitha ligjeve me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Është situatë e trashëguar nga qeveritë paraprake dhe ne kemi marrë përgjegjësi për t’i zgjidhur”, deklaroi Kasami, përcjell Zhurnal.mk.

Ai komentoi edhe deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, lidhur me provimin e jurisprudencës, duke theksuar se askush nuk mund ta ndalojë përdorimin e gjuhës shqipe.

“Fillkov nuk është ai që mund ta ndalojë përdorimin e gjuhës shqipe. Jemi partneri i dytë në qeveri dhe bashkë me kryeministrin jemi dakorduar që ne përfaqësojmë dhe mbrojmë të drejtat e shqiptarëve”, tha Kasami.

Sipas tij, në qeveri mund të ketë eksponentë që tentojnë të bëjnë politikë me tema ndëretnike, por ai theksoi se me kryeministrin ekziston pajtueshmëri që këto çështje duhet të mbyllen dhe vendi të fokusohet drejt së ardhmes dhe integrimeve.

Kasami foli edhe për protestën e studentëve lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke deklaruar se protesta është keqpërdorur nga eksponentë politikë të opozitës, të cilët sipas tij kanë qenë përgjegjës për krijimin e situatës aktuale.

“Përkrahim çdo formë të protestës, sepse qytetarët janë zëri që korrigjon politikat e qeverisë. Fatkeqësisht, protesta u keqpërdor nga eksponentë politikë që ishin shkaktarë të kësaj situate”, tha Kasami.

Ai shtoi se nga personat e arrestuar gjatë protestës, asnjëri nuk ka qenë student, ndërsa njëri prej tyre ka qenë maqedonas.

Kasami ritheksoi se VLEN mbetet e përkushtuar për harmonizimin e ligjeve me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe për garantimin e të drejtës së studentëve shqiptarë që provimet profesionale t’i japin në gjuhën amtare.//Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër