Shkup, 13 maj Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami tha se sulmet e koordinuara nga Tirana, si nga zyrtarë, analistë dhe artistë, janë në dritën e relacioneve personale të Tiranës zyrtare me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, ai tha se është mirë që Tirana më në fund po reagon për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, edhe pse me 20 vite vonesë.
“Përkundër kësaj politike ditore që po ndodh, përsëri, unë nga natyra jam optimist dhe e vlerësoj pozitive gjithë këtë situatë sepse megjithatë Tirana zyrtare po reagon. Artistët po reagojnë. Këtë është dashur ta bëjnë 20 vite më parë, që mos të degradojë pozita e shqiptarëve aty ku e gjetëm ne para dy viteve”, deklaroi Kasami.
Ai tha se dëshiron që raportet zyrtare mes Shkupit dhe Tiranës mos të shihen në prizmin personal dhe emocional, por të mbahet raporti institucional, për të mirën e shqiptarëve.
Kasami theksoi se nëse Edi Rama do nuk do t’i shihte këto raporte emocionalisht dhe të reagonte ndaj degradimit të çështjes shqiptare në kohën e BDI-së, sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të ishin në pozitë shumë më të mirë.
“Pra, sikur Edi Rama mos ishte sjellur emocionalisht përballë Ali Ahmetit dhe BDI-së, sikur t’i kishte kritikuar 10% sa na kritikon neve, sigurisht se edhe Ali Ahmeti dhe BDI do të ishin më të kujdesshëm”, tha Kasami.
Kasami: VLEN është produkt i realitetit politik më të ri në vend
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami në emisionin “Click plus” në TV21 ka thënë se VLEN është produkt i një realiteti të politikës më të re në Maqedoninë e Veriut.
Me Kongresin e partisë, tha ai, erdhi një situatë ku shqiptarët kërkonin bashkim dhe unifikim të zërit opozitar, që kur nisi iniciativa për unifikimin e VLEN.
“Tani e shohim se sa e nevojshme apo imediate ka qenë që VLEN të bashkohet dhe të jemi këtu ku jemi. E shohim se VLEN si një strukturë politike është shumë mirë e pritur nga njerëzit.
Nuk besoj se është çështja se kush do të jetë i pari, por modelin më të mirë të funksionimit të një partie si VLEN dhe model që duhet të shfrytëzohet te shqiptarët. Ky model është më shumë si nevojë e asaj se si është më së miri të funksionojë një subjekt politik te shqiptarët”, tha ai.
Ai thekson se VLEN funksionon me një presidencë e cila ngërthen kompetencat e kryetarit dhe të kryesisë dhe se presidenca do të marrë vendime konsensuale.
“Roli i imi dhe i z.Mexhiti është për të përfaqësuar partinë jashtë me faktorin politik, qytetarët, ndërsa vendimet do t’i sjell kryesia”, ka thënë Kasami.
