Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim Ziberin dhe Fatime Memetin, të cilët me angazhimin e tyre të përditshëm kontribuojnë në mirëmbajtjen dhe pastërtinë e hapësirave të Banjës së Tetovës.
Kasami vlerësoi lart përkushtimin e tyre, duke theksuar se kujdesi ndaj hapësirave publike është shembull i përgjegjësisë qytetare dhe dashurisë për vendin ku jetojmë.
“Ata janë dëshmi se dashuria për qytetin nuk shprehet vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me punë, kujdes dhe përgjegjësi”, theksoi Kasami.
Sipas tij, veprime të tilla meritojnë respekt dhe mirënjohje, pasi kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së jetesës për të gjithë qytetarët.
“Veprime të tilla meritojnë respekt, vlerësim dhe mirënjohje, sepse qytetin tonë e bëjmë më të mirë së bashku, secili duke dhënë kontributin e vet”, ka deklaruar Kasami.
Nga Komuna e Tetovës theksojnë se nisma dhe angazhimi i qytetarëve në ruajtjen e pastërtisë dhe hapësirave publike janë shembull pozitiv që duhet të ndiqet, duke forcuar bashkëpunimin mes institucioneve dhe komunitetit për një qytet më të pastër dhe më të mirë.

