Katër vrasje brenda një dite: Kërkohet veprim i institucioneve

nga L. M

Katër persona të vrarë brenda një dite në Kosovë. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren – janë rastet e fundit që tronditën vendin brenda 24 orëve.

Në një kafene afër Komunës së Gjilanit, si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir. Më vonë vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në spital. Policia e Kosovës është në kërkim të tre personave të dyshuar – Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij të cilët ndodhen në arrati.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se ky rast tregon për “çalimin e institucioneve të drejtësisë”.

“Duhet të kërkohet llogaridhënie tek institucionet e drejtësisë pse këta persona janë liruar, pse këta persona nuk kanë marrë dënimin e merituar. Fajdeja është një ndër krimet dhe format më të shpeshta të krimit të organizuar në Kosovë, e cila shpesh herë ka pasur edhe forma të tjera të viktimave, ku persona të caktuar janë detyruar të bëjnë vetëvrasje apo ta lëshojnë komplet vendin si rezultat i presioneve që kanë përjetuar. Fajdeja nuk duhet të trajtohet si krim i rëndomtë e mënyra se si është trajtuar ky rast duket qartë se është nënvlerësuar si rast krimi”, tregon Vrajolli.

Gjykata Themelore në Gjilan tha sot se ndaj personit të dyshuar, Mefail Shkodra, nuk ka lëndë aktive në këtë institucion. Sipas njoftimit të gjykatës, Shkodra ka pasur tri lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues.

Ndërkaq, sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, gjykata tha se nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë tha më vonë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës – i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Këto raste tragjike duhet të vejnë në lëvizje tërë shoqërinë, thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

“Një ngjarje e dhimbshme e cila duhet të vejë në lëvizje tërë shoqërinë. Po them kështu sepse nuk mund të jetë vetëm çështje e drejtësisë apo vetëm e policisë. Është një çështje e mentalitetit, e një numri të madh të armëve në duar të qytetarëve, të një mos trajtimi si temë nga gjithë shoqëria, nga gjithë mekanizmat relevantë. Prandaj, këto janë ato defektet tona si shoqëri, shto këtu pastaj edhe narrativën gjithmonë në çdo çështje duke debatuar fillimin eventual të luftës, problemet me Serbinë, qytetarët janë të stërmbushur me tema që në thelb e kanë konceptin e luftës, e dhunës, e armës”, deklaron ai.

Sipas tij, duhet të ketë rishqyrtim të strategjisë për sundimin e ligjit dhe për sigurinë në vend.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme se cilat janë masat që do të ndërmerren dhe si dhe për numrin e armëve pa leje në duart e qytetarëve, por deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e “çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës”, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se gjatë verës ka rritje të kriminalitetit në vend.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More