Tel Aviv, 21 prill Zhurnal.mk – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka kërcënuar sërish se do të eliminojë liderin e Hezbollahut, përpara bisedimeve të reja mes Izraelit dhe Libanit që pritet të zhvillohen këtë javë në Uashington.
“Naim Qassem, kreu i Hezbollahut, do ta paguajë me “kokën e tij”, deklaroi Katz gjatë një ceremonie në Ditën Përkujtimore të Izraelit për ushtarët e rënë, sipas raportimeve të mediave.
Katz theksoi se edhe gjatë armëpushimit aktual, çarmatimi i Hezbollahut mbetet një objektiv qendror.
Sipas tij, grupi ka sulmuar Izraelin “në shërbim të padronëve iranianë” dhe do të mbajë përgjegjësi.
“Çdokush që ngre dorë kundër Izraelit do t’i pritet ajo. Ne nuk do të kthehemi në realitetin para 7 tetorit 2023”, u shpreh Katz.
“Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve kufitare izraelite, Izraeli ka ndryshuar strategjinë e tij ushtarake nga ajo e frenimit, në operacione më parandaluese dhe ofensive”, sipas analistëve.
“Ndërkohë, bisedimet në nivel ambasadorësh mes Izraelit dhe Libanit pritet të rinisin të enjten në Uashington”, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Izraeli kërkon një marrëveshje paqeje përmes negociatave të drejtpërdrejta me qeverinë libaneze dhe kërkon çarmatimin e Hezbollahut, njëkohësisht një parti politike dhe grup i armatosur me ndikim.
Nga ana tjetër, Libani kërkon një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga jugu i vendit.
Autoritetet libaneze e konsiderojnë praninë izraelite si pushtim të territorit të tyre, ndërsa Izraeli ka argumentuar se ka krijuar një “zonë sigurie” në atë rajon.
