Tel Aviv, 24 prill, Zhurnal.mk – Izraeli është gati të rifillojë luftën kundër Iranit, deklaroi dje në mbrëmje ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
“Sipas një deklarate të ministrisë, qeveria izraelite po pret miratimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Katz.
Sipas Katz, objektivat tashmë janë identifikuar, me qëllim shkatërrimin e dinastisë Khamenei dhe goditjen e infrastrukturës kyçe energjetike, industriale dhe ekonomike të Iranit.
Ai gjithashtu foli për mundësinë e kthimit të Iranit “në epokën e gurit”, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump gjatë konfliktit, të cilin Izraeli dhe SHBA-ja e nisën më 28 shkurt.
Një armëpushim është në fuqi prej më shumë se dy javësh dhe është zgjatur nga Trump të martën, megjithatë bllokada amerikane ndaj transportit iranian në Ngushticën e Hormuzit mbetet në fuqi.
Negociatat nuk kanë arritur ende në një marrëveshje afatgjatë paqeje.
Referenca e ministrit për një “dinasti” lidhet me transferimin e pushtetit në Iran, pas vdekjes së udhëheqësit fetar Ali Khamenei.
Djali i tij, Mojtaba Khamenei, u emërua pasardhës më 8 mars, një zhvillim që disa e kanë interpretuar si një kundërshtim të frymës së revolucionit të vitit 1979 kundër monarkisë trashëgimore nën sundimin e Shahut.
Megjithatë, Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që prej emërimit të tij, ndërsa raportimet sugjerojnë se ai mund të jetë plagosur rëndë në sulmin ajror që vrau të atin e tij.
