Këshilli i Prokurorëve Publik pas thirrjes nga Filkov: Mbikëqyrja në rastin Grubi i takon Prokurorisë Publike të Lartë, nuk kemi kompetencë në këtë fazë

Nga D. V.
404 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 shkurt – Prokuroria Publike e Lartë kryen mbikëqyrjen mbi veprimet e ligjshme të prokurorëve, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publik në këtë fazë të procedurës nuk ka kompetencë për të kryer mbikëqyrje, njoftoi Këshilli i Prokurorëve Publik të RMV-së, pas thirrjes publike nga ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme dhe për të shqyrtuar veprimet e prokurorëve në rastin e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

Këshilli i Prokurorisë Publike, në një njoftim të publikuar në faqen e tij të internetit, thekson se sipas nenit 28 të Ligjit për Prokurorinë Publike, mbikëqyrjen e ushtron Prokuroria Publike e Lartë.

“Në interes të transparencës së Këshillit të Prokurorëve Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në lidhje me thirrjen publike të ministrit të Drejtësisë të RMV-së drejtuar Këshillit për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme dhe për të shqyrtuar veprimet e prokurorëve në rastin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, për të përcaktuar nëse ekziston përgjegjësi te prokurorët, informojmë opinionin se Këshilli në këtë fazë të procedurës nuk ka kompetencë për të kryer mbikëqyrje mbi veprimet e ligjshme të prokurorëve, ndërsa sipas nenit 28 të Ligjit për Prokurorinë Publike, mbikëqyrjen e kryen Prokuroria Publike e Lartë”,  thuhet në njoftimin e Këshillit të Prokurorëve Publik.

Ministri i Drejtësisë Fillkov pardje u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përgjegjës për vendosjen e arrestit shtëpiak ndaj ish-zëvendëskryeministrit Grubi, duke theksuar se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të gjendet me emër dhe mbiemër. Ai i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që urgjentisht të thërrasin seanca, ta shqyrtojnë këtë rast dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për përgjegjësi nga ana e gjykatësit dhe prokurorit publik. Fillkov kërkoi sqarime nga prokurori publik Daniel Kocev, kryetari i prokurorisë, Anel Fidoski dhe gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Marin Stanevski. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër