Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt mban sot mbledhje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje mban sot mbledhjen e radhës.

Në rend dite të mbledhjes është zgjedhja e ekspertëve të jashtëm, si dhe çështje të tjera që lidhen me organizimin e punës së komisionit.

Në mbledhjen e së hënës, më 9 nëntor, kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit kishte përcjellë raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kritikoi qasjen e Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se po tentohet të mbulohen të metat e institucioneve në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Pas diskutimeve mes anëtarëve, mbledhja e së hënës vazhdoi me dyer të mbyllura për media.

Komisioni Hetimor Parlamentar është themeluar më 29 tetor nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh.

Ai do të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, si dhe trajtimin institucional të dhunës në familje.

artikuj të ndërlidhura