Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi dhe miratoi tre projektligje, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.
Në fokus të diskutimeve ishte projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Në mbledhje ishin të pranishëm zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë shqyrtimit, Memeti paraqiti parashikimet dhe ndryshimet e propozuara, të cilat synojnë forcimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet ndërkombëtare dhe evropiane në këtë fushë.
Relatori Ervin Hoxha theksoi se projektligji synon forcimin e integritetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe ekonomik të Republikës së Shqipërisë.
Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Më tej, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025 ‘Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë’”, me nismë të deputetes Bora Muzhaqi.
Në mbledhje ishte i pranishëm zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo.
Muzhaqi u shpreh se ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin dhe përditësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e patentave, modeleve të përdorimit dhe certifikatave të mbrojtjes shtesë, në funksion të forcimit të sistemit të mbrojtjes së pronësisë industriale dhe përafrimit me legjislacionin evropian.
Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025 ‘Për markat tregtare’”, gjithashtu me nismë të deputetes Bora Muzhaqi.
Sipas nismëtares, ndryshimet synojnë përditësimin e kuadrit ligjor për markat tregtare dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e tyre, në përputhje me zhvillimet dhe standardet evropiane në fushën e pronësisë industriale.
Pas diskutimeve, komenteve dhe pyetjeve të anëtarëve, edhe dy projektligjet për pronësinë industriale u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi.
