Uashington, 10 qershor, Zhurnal.mk – Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi afro 70 miliardë dollarë fonde për agjencitë federale të zbatimit të ligjit për emigracionin, duke i dhënë presidentit Donald Trump një fitore të rëndësishme politike në përpjekjet e tij për të vazhduar politikat e ashpra ndaj emigracionit gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij të dytë.
Projektligji, i mbështetur nga republikanët, u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me një diferencë të ngushtë prej 214 votash pro dhe 212 kundër, pasi kishte kaluar më herët edhe në Senat. Tashmë ai pret vetëm firmën e presidentit Trump për të hyrë në fuqi.
Legjislacioni parashikon pothuajse 70 miliardë dollarë financime deri në vitin 2029 për agjencitë e Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Mbrojtjes së Kufijve dhe Doganave (CBP), të cilat janë në qendër të politikave të administratës Trump për deportimet dhe forcimin e sigurisë kufitare.
Demokratët kundërshtuan masën, duke argumentuar se fondet shtesë duhej të shoqëroheshin me mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje për oficerët e zbatimit të ligjit të emigracionit. Debati u ashpërsua pas incidenteve në shtetin e Minesotës, ku agjentë federalë qëlluan për vdekje dy shtetas amerikanë gjatë operacioneve të kryera më herët këtë vit.
Mosmarrëveshja u bë pjesë e një përplasjeje më të gjerë buxhetore lidhur me financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, institucioni që mbikëqyr si ICE-n ashtu edhe CBP-n. Kjo përplasje kontribuoi edhe në një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale, megjithëse shumica e çështjeve financiare u zgjidhën më herët gjatë vitit.
Republikanët përdorën procedurën e njohur si “budget reconciliation”, (procedura e rakordimit buxhetor, e cila u lejon atyre të avancojnë legjislacionin me shumicë të thjeshtë votash, pa pasur nevojë për mbështetjen e demokratëve.
Miratimi i ligjit ishte vonuar më parë për shkak të kundërshtimeve ndaj elementeve të tjera të programit politik të Trump, përfshirë rezervat e shprehura edhe nga disa ligjvënës republikanë. Megjithatë, pas negociatave të gjata, masa u miratua dhe pritet të forcojë ndjeshëm kapacitetet federale për kontrollin e kufijve dhe zbatimin e politikave të emigracionit në vitet e ardhshme.
