Konjufca: Shqipëria dhe Kosova, me projekte të përbashkëta në mbështetje të diasporës

Nga D. V.
234 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 prill Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve  të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë samitit të Diasporës që po zhvillon punimet në Tiranë, u ndal te projektet e përbashkëta që duhet të ndërmarrë Shqipëria dhe Kosova për të mbështetur diasporën.

Sipas tij, pesë janë shtetet kryesore ku është e fokusuar diaspora shqiptare. “Në SHBA kemi një mërgatë përafërsisht të barabartë mes Kosovës dhe Shqipërisë edhe pse mërgata e Shqipërisë është më e hershme. Në Greqi dhe Itali dominon mërgata e Shqipërisë, ndërsa në Gjermani dhe Zvicër mërgata e Kosovës”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se në këto 5 shtete duhet të jetë i fokusuar investimi i Kosovës dhe Shqipërisë me projekte të përbashkëta për sa i përket identitetit kombëtar.

“Arritja më e madhe në këtë dimension do të ishte sikur së bashku me Shqipërinë të arrinim të dërgonim një numër të madh të mësimdhënësve që mbulohen financiarisht nga Shqipëria dhe Kosova. Duhen me qindra mësimdhënës për të mirëmbajtur shkollën shqipe në ato qytete ku qëndron mërgata jonë. Deri tani kjo ka qenë në mënyrë vullnetare e organizuar nga mërgata”, tha Konjufca, ndërsa shtoi se vetëm 10% e fëmijëve të diasporës ndjekin shkollimin në gjuhën shqipe.

Po ashtu, Konjufca theksoi edhe rëndësinë e rrjetëzimit të mërgatës shqiptare. “Shumë projekt i rëndësishëm në këto 5 shtete është krijimi i një ombrelle të përbashkëta të të gjitha shoqatave dhe organizatave shqiptare në mënyrë që të lidhim mërgatën me vendin”, përfundoi Konjufca.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër