Tiranë, 14 prill Zhurnal.mk – Në një kohë kur vendet e rajonit të Ballkanit po konkurrojnë për tërheqjen e investimeve të huaja, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion tërheqës për kapitalin ndërkombëtar.
Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Laura Saro deklaroi sot se diaspora mund të luajë një rol kyç në këtë proces, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish, që nga investimet direkte, deri tek eksperienca dhe know-how ndërkombëtar.
“Roli i diasporës është thelbësor në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ata mund të kontribuojnë si investitorë, si ekspertë që sjellin përvojën e tyre ndërkombëtare, dhe gjithashtu si partnerë bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm”, tha Saro gjatë panelit të zhvilluar sot “Diaspora partner në biznes dhe inovacion”, që u mbajt në kuadër të Samitit të IV të Diasporës.
Sipas saj, Shqipëria ka potencial të madh për të diversifikuar sektorët ekonomikë, përtej asaj që ka dominuar deri tani, siç është sektori i pasurive të paluajtshme, ku janë përqendruar rreth 35% e investimeve të huaja.
Në këtë drejtim, shtoi ajo, zhvillimi urban dhe sektori i energjisë janë dy drejtime që po fitojnë një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Një nga fushat kryesore të interesit është zhvillimi urban, i lidhur ngushtë me krijimin e zonave të lira ekonomike.
Saro theksoi se Shqipëria ka nisur të aplikojë modele të suksesshme, të cilat janë zbatuar me efektivitet në vende të tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Polonia.
“Zonat e lira ekonomike krijojnë mundësi për sektore të ndryshëm, nga industria te teknologjia dhe inovacioni, duke ofruar incentiva fiskale për investitorët”, tha ajo, duke shtuar se ky model po i jep mundësi Shqipërisë të avancojë në mënyrë dinamike.
Një tjetër sektor me potencial të madh për zhvillim, vijoi Saro, është turizmi.
“Diaspora mund të shërbejë si urë lidhëse për të sjellë marka ndërkombëtare në Shqipëri dhe për të çuar turizmin në një nivel të ri cilësor”, u shpreh Saro.
Përveç turizmit, energia dhe bujqësia janë dy sektorë strategjikë për Shqipërinë.
Saro u shpreh se Shqipëria ka një avantazh natyror në sektorin e energjisë falë burimeve të saj ujore, duke u renditur ndër vendet me potencial të lartë në Evropë. Po ashtu, ajo theksoi se investimet në bujqësinë e zgjuar, përmes teknologjisë dhe bashkëpunimit me startup-et, mund të sjellin një transformim të thellë në sektorin bujqësor shqiptar.
Saro theksoi se qëllimi i Shqipërisë është krijimi i ekosistemeve të integruara, ku sektorë të ndryshëm ndërveprojnë dhe bashkëpunojnë për të ofruar një ofertë tërheqëse për investitorët.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të rritur konkurrencën e Shqipërisë në rajon dhe për të maksimizuar kontributin e diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh ajo.
