Kos: Shqipëria, një nga vendet në krye të procesit të integrimit

Nga D. V.
258 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 prill, Zhurnal.mk – Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të integrimit.

Në një intervistë për “Klan News”, Kos foli mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Shpresojmë që në muajin maj, do të jemi në gjendje që të miratojmë të gjitha standardet e përkohshme për sundimin e ligjit dhe pastaj të nisim me mbylljen e kapitujve. Është e mahnitshme ajo që Shqipëria ka bërë në vitet e fundit me hapjen e të gjithë grupkapitujve”, tha Kos.

Kos pohoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për të hyrë në BE, ndërsa vlerësoi vendosmërinë e lidershipit të vendit në këtë drejtim.

“Jam shumë e lumtur që qeveria juaj është kaq e përkushtuar për ta bërë realitet anëtarësimin në BE. Ajo që shohim në Shqipëri është vendosmëria e lidershipit tuaj në këtë drejtim. Kjo është vërtet një nga pikat më të rëndësishme. Ju keni një nga përqindjet më të larta të përkrahjes në sondazhe nga qytetarët për anëtarësimin në BE, me 90% ose më shumë. Në asnjë vend tjetër kandidat nuk rezulton kjo mbështetje. Fakti që ju keni një lidership të vendosur për integrimin e plotë në familjen evropiane e bën këtë projekt një kombinim të përsosur. Mbështetja e qytetarëve dhe puna e qeverisë, shpresoj të kontribuojmë në Bruksel”, tha Kos.

E pyetur nëse është i mundur anëtarësimi i Shqipërisë në vitin 2030-të, Kos u shpreh se “nëse Shqipëria do të vijojë në këtë drejtim, gjithçka është e mundur”.

“Ne në Komisionin Evropian nuk caktojmë datat, por mbështesim vizionet realiste të shteteve kandidate”, theksoi ajo.

Kos konfirmoi po ashtu se për sa kohë që është Komisionere për Zgjerimin, do të luftojë që shtetet kandidate të bëhen anëtarë me të drejta të plota të BE-së.

“Unë jam Komisionere për Zgjerimin dhe roli im është t’i ndihmoj shtetet kandidate të bëhen anëtarë me të drejta të plota të BE-së. Kështu që nuk mund të bëj kompromis për asgjë më pak se kjo. Nëse disa nga shtetet kandidate vendosin se nuk duan të bëhen anëtare ose thjesht duan që të jenë pjesë e BE-së në ndonjë nivel tjetër, kjo është zgjedhja e tyre. Për sa kohë që unë jam Komisionere për Zgjerimin do të luftoj që ato shtete që i konsideroj kandidatet e mia të bëhen anëtare me të drejta te plota të BE-së. Kandidatët janë dhjetë. Unë kam dhjetë shtete kandidate pjesë të detyrës time”, përfundoi Kos.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër