KQZ synon ta përmbyllë sot numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike

Nga D. V.
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Procesi i numërimit të votave nga diaspora, të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që ky proces të përfundojë gjatë ditës së premte.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për Klan Kosova ka bërë të ditur se numërimi i këtyre votave ka nisur pasditen e së enjtes.

“Ky proces ka nisur gjatë pasdites së enjtes dhe deri në fund të ditës së enjte numri i vendvotimeve që janë numëruar dhe që i takojnë këtyre përfaqësive diplomatike është 13 nga 47. Menjëherë në mëngjes kemi filluar procesin me kutitë e tjera dhe si KQZ jemi duke u përpjekur që procesi i numërimit që i takon votimit në përfaqësitë diplomatike të arrijë të përmbyllet gjatë ditës së sotme, të premte”, tha Elezi.

Ai foli edhe për ecurinë e procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku po bëhet numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.

“Sa i përket procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, pra ku është bërë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të rregullta, mund të konfirmoj se para pak çastesh kemi përmbyllur këtë proces në dy komuna, bëhet fjalë për Gjilanin dhe Prizrenin. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që kanë përmbyllur këto aktivitete është 37. Ka mbetur vetëm Komuna e Prishtinës, qendra më e madhe komunale me numrin më të madh të vendvotimeve, gjithsej 262, dhe është e natyrshme që të përmbyllet me vonë. Besojmë se ky proces do të përfundojë gjatë fundjavës që kemi përpara”, deklaroi Elezi.

Kujtojmë se, krahas votave të hedhura brenda Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, në proces të numërimit janë edhe votat e diasporës, të cilat pritet të kompletojnë rezultatin përfundimtar zgjedhor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër