Zagreb, 19 korrik Zhurnal.mk – Me ardhjen e verës, pritjet në kufijtë e Kroacisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa Sistemi i Hyrje/Daljes (EES) ka ngadalësuar edhe më shumë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, autoritetet kroate kanë mundësinë ta pezullojnë përkohësisht këtë sistem kur krijohen kolona të mëdha.
Televizioni Publik Kroat raportoi për ngarkesën në pikat kufitare dhe aeroportet e vendit pas zbatimit të plotë të sistemit EES, i cili ka hyrë në fuqi prej disa muajsh.
Sipas raportit, sistemi mund të çaktivizohet përkohësisht kur pritjet në kufi bëhen tepër të gjata. Në atë rast, nuk merren të dhëna biometrike nga udhëtarët, por kontrolli i pasaportave mbetet i detyrueshëm.
“Në situata të jashtëzakonshme, kur presim që koha e pritjes të jetë mbi 45 minuta, kemi të drejtë ta pezullojmë pjesërisht EES-in. Kjo nënkupton krijimin e dosjes së udhëtarit, por pa marrë të dhënat biometrike, pra fotografinë e fytyrës dhe shenjat e gishtërinjve”, shpjegoi Joso Vujiq, drejtues i Shërbimit Kufitar në Drejtorinë Policore të Split-Dalmacisë.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë,
Davor Božinović
, konfirmoi se kjo mundësi përdoret herë pas here sipas nevojës.
“Ekzistojnë mekanizma për fleksibilitet të përkohshëm afatshkurtër dhe ne i përdorim kur paraqitet nevoja. Megjithatë, ky është një sistem i krijuar para së gjithash për sigurinë e qytetarëve të BE-së dhe do të vazhdojë të përmirësohet”, deklaroi Božinović.
Ai shtoi se, falë funksionimit të deritanishëm të sistemit EES, rreth 5.000 personave u është ndaluar hyrja në Bashkimin Evropian.
