“Nuk ikim pa ikur ju!”/ Qytetarja: S’na shantazhoni dot, nuk e negociojmë më dinjitetin! Rama na tha serbë dhe grekë, por në shesh ka vetëm shqiptarë të revoltuar

Nga Xh M
1,238 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 korrik Zhurnal.mk – Një prej fjalimeve që tërhoqi vëmendjen gjatë protestës së ditës së 50-të ishte ai i një qytetareje, e cila deklaroi se protestuesit do të vijojnë rezistencën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Në fjalën e saj, ajo kundërshtoi etiketimet që, sipas saj, u janë bërë pjesëmarrësve të protestës.

“Na thanë rusë, serbë, grekë e të shitur, por në këto 50 ditë nuk kanë kuptuar se këtu ka vetëm shqiptarë të ndershëm dhe të revoltuar. U munduan të na delegjitimojnë, por nuk ia dolën”, u shpreh ajo.

Protestuesja tha se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi derisa të shohin ndryshime konkrete në vend.

“Na pyesin se kur do të ikim nga sheshi. Do të ikim kur në spitale të ketë ilaçe dhe qytetarët të mos detyrohen t’i blejnë vetë. Kur në shkolla fëmijët të jenë të sigurt dhe mësuesit të mos përdoren për interesa politike. Kur baballarët tanë, punëtorë ndërtimi, të mos humbin jetën në vendin e punës pa mbajtur askush përgjegjësi. Kur blegtorët të mos detyrohen të hedhin produktet e tyre”, deklaroi ajo.

Në vijim të fjalës së saj, protestuesja foli edhe për të rinjtë, duke theksuar se ata duhet të kenë mundësi të ndërtojnë jetën në Shqipëri.

“Do të ikim kur të rinjtë të mbarojnë shkollën me besimin se do të punojnë në Shqipëri dhe jo të mendojnë largimin si zgjidhjen e vetme”, tha ajo.

Ajo theksoi se pjesëmarrësit nuk protestojnë për interesa personale, por për dinjitet dhe për një të ardhme ndryshe.

“Nuk jemi këtu për interesa vetjake, për pushtet apo për ndjekës në rrjetet sociale. Jemi këtu për të thënë se nuk e negociojmë më dinjitetin tonë dhe ëndrrën për një Shqipëri të re, të lirë dhe demokratike. Nuk na shantazhoni dot më. Jemi këtu për t’ju thënë: Nuk ikim pa ikur ju”, përfundoi protestuesja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër