Krujë, 9 gusht Zhurnal.mk – Një ditë pas natës së tmerrit, Kruja po merr frymë më qetësisht. Zjarret që përfshinë faqen e malit dhe rrezikuan qytetin gjatë orëve të natës, janë vënë nën kontroll, ndërsa sot vëmendja është përqendruar te shuarja nga ajri e vatrave të mbetura dhe rikthimi i normalitetit. Flakët nisën në lagjen Abaze dhe, të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë, u përhapën me shpejtësi përgjatë faqes së malit. Situata u rëndua gjatë mbrëmjes, kur zjarri iu afrua zonave të banuara. Për arsye sigurie u evakuuan banorët e Abazes, Barabit, Llubanit e Varoshit. Mes të evakuuarve ishin edhe pacientët e shtruar në Spitalin e Krujës, të cilët gjatë natës u transferuan në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Krujës. Sot, pas qetësimit të situatës, pacientët u kthyen në spital.
Përballë flakëve u vunë mbi 200 zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan pa ndërprerje gjatë gjithë natës. Në ndihmë të tyre u angazhuan edhe banorët, duke mbrojtur banesat e tyre. Pas orës 06:00, zjarri u deklarua nën kontroll të plotë. Bilanci fatmirësisht nuk regjistron viktima apo banesa të djegura. Dëmet materiale janë të kufizuara në disa objekte, një magazinë biznesi u shkrumbua, ndërsa zjarri përfshiu edhe godinën e vjetër të ish-zdrukthtarisë dhe një magazinë të Ujësjellësit të Krujës. Flakët dëmtuan edhe një linjë 6 kilovolt të tensionit të mesëm, ndërsa ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Kruja po rikthehet gradualisht në normalitet pas një nate kur flakët kërcënuan qytetin. Forcat në terren vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në malin mbi Krujë, për të shuar plotësisht çdo vatër dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
