Tiranë, 9 gusht Zhurnal.mk – Një pemë rreth 8 metra e gjatë është gjetur e bllokuar brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit, duke u cilësuar si shkaku i problemeve të përsëritura me kanalizimet në zonë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ndërhyrja, duke treguar se kamera speciale nëntokësore zbuloi trungun e pemës brenda tubacionit. Sipas Ramës, prej më shumë se një dekade, sa herë kishte reshje, ujërat e zeza dilnin në bulevard dhe përhapeshin në lagjet përreth.
Pema është nxjerrë tashmë nga kolektori, ndërsa sipas kryeministrit tubacioni është çliruar dhe banorët e Kasharit nuk do të përballen më me problemin e përsëritur pas reshjeve.
Rama e ka cilësuar rastin si një ndërhyrje të pazakontë të bërë gjatë ndërtimit të kolektorit, duke deklaruar se trungu ishte lënë brenda tubacionit në vend që të largohej nga kantieri.
