Shkup, 21 shkurt – Vetëm në periudhën nga tetori 2024 deri në tetor të vitit 2025, përkatësisht në vitin e fundit para zgjedhjeve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikoi 250 milionë euro për projekte infrastrukturore për komunat dhe miratoi 112 milionë euro nga këto fonde, përmes gjashtë ministrive, por ku shkuan këto fonde? Përmes një hulumtimi, Qendra për Komunikime Qytetare sjell detaje rreth projekteve.
Që nga tetori i vitit 2024 e tutje, për komunat Qeveria ka miratuar një total prej 111,662,612 euro për projekte infrastrukturore, nga paratë e të ashtuquajturës kredi hungareze. Paratë u ndanë përmes gjashtë ministrive, varësisht prej llojit të projekteve për të cilat kanë qenë të dedikuara.
Vendimin e parë Qeveria e miratoi saktë një vit para zgjedhjeve lokale, pra më 16 tetor 2024, për shpërndarjen e 71.1 milion eurove. Kjo pjesë e parave ishte e dedikuar për 288 projekte komunale, të përzgjedhura në një konkurs publik të shpallur prej më parë. Vetëm tre njësi të vetëqeverisjes lokale nuk fituan fonde nga kjo transhë e parë, përkatësisht Qyteti i Shkupit, Saraji dhe Strumica.
Vendimin e dytë Qeveria e miratoi tre muaj e gjysmë para zgjedhjeve lokale, përkatësisht më 1 korrik 2025, për shpërndarjen e fondeve shtesë në vlerë prej 41.4 milionë euro. Ky vendim u ndryshua në gusht të vitit 2025 dhe shuma u korrigjua në 40.5 milionë euro. Kjo pjesë e fondeve, megjithëse me vlerë dukshëm më të vogël nga vlera e mëparshme, është dedikuar për shumë më tepër projekte, përkatësisht për 828 projekte, të cilat gjithashtu janë përzgjedhur pas një konkurs publik të shpallur paraprakisht. Të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, përveç Qytetit të Shkupit, fituan mjete nga kjo transhë.
Në muajin midis miratimit të vendimit të Qeverisë (më 4 korrik 2025) dhe ditës së shpalljes së zgjedhjeve (9 gusht 2025), thuajse të gjitha komunat kanë bërë ndryshime në programet e tyre dhe, përkitazi në buxhetet e tyre, me anë të të cilave i kanë përfshirë projektet dhe paratë e alokuara nga Qeveria në mënyrë që ligjërisht të mund ta “mbulonin” shpenzimin e parave në muajt menjëherë para zgjedhjeve.
Me të dyja transhat së bashku, vetëm në vitin 2025, komunave u shpërndahen 111.7 milionë euro.
Pavarësisht vlerës prej 71 milion euro të miratuar për komunat në vitin 2024, Qeveria megjithatë “rezervoi” vetëm rreth 15.5 milionë euro në buxhetin për atë vitvii, ndërsa komunat realisht kanë shpenzuar vetëm një shumë modeste prej 345 mijë euro ose 0.5 % të mjeteve financiare të miratuara për vitin 2024. Së këtejmi, fondet e miratuara për vitin 2024 u kombinuan me fondet për vitin 2025 dhe për to së bashku, në Buxhetin për vitin 2025, Qeveria planifikoi 102 milionë euro (edhe pse vlera totale e projekteve të aprovuara për komunat për këtë periudhë ka qenë 112 milionë euro).
Pas zgjedhjeve lokale, në fillim të dhjetorit 2025, Qeveria përsëri, këtë herë në mënyrë më drastike, i uli fondet për projektet infrastrukturore të komunave për më shumë se gjysmën, përkatësisht për 58,439,026 euro. Konkretisht, me Vendimin për rishpërndarjen e fondeve midis përdoruesve të buxhetit të qeverisë qendrore dhe midis fondeve, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 5 dhjetor 2025, 102 milionë eurot e planifikuara më parë në Buxhetin qendror për vitin 2025 janë zvogëluar në 43.6 milionë euro.
Në shqyrtimin e nënprogrameve zhvillimore në rishikimin e Buxhetit të vitit 2025, Qeveria fillimisht planifikonte që komunave t’u ndajë edhe 148 milionë euro për këto projekte edhe në dy vitet e ardhshme, pra vitet 2026 dhe 2027. Kjo shumë, së bashku me shumën prej 102 milionë euro të planifikuar fillimisht në Buxhetin e vitit 2025 dhe shumën prej 345 mijë euro të shpenzuara në vitin 2024, duhet të ishte rrumbullakim i shumës totale të mjeteve financiare për projektet infrastrukturore të komunave nga kredia hungareze në 250 milionë euro.
Mirëpo, me buxhetin e vitit 2026x, në vitin 2025 u bënë reduktime shtesë në këto fonde, kështu që, në vend të dinamikës së zbatimit të planifikuar fillimisht me vlerë prej 70 milionë në vitin 2026, në Buxhetin e vitit 2026, të miratuar më 10 dhjetor 2025, shuma e këtyre fondeve u zvogëlua në 41.5 milionë euro për vitin 2026.
Gjithashtu janë reduktuar fondet e planifikuara për vitin e ardhshëm 2027, nga shuma prej 77.5 milionë euro e planifikuar fillimisht, në 63.3 milionë euro. Me këto rregullime, shuma totale e fondeve për projektet infrastrukturore të komunave, nga 250 milionë euro të planifikuara, është zvogëluar në 149 milionë euro.
Katër komuna me mbi 5 milionë euro secila, Qyteti i Shkupit asnjë denar
Kur bëhet fjalë për komunat ndaras, vërehet një shpërndarje joproporcionale e fondeve bazuar në numrin e banorëve dhe vlerën. Kështu, katër komunave iu janë miratuar më tepër se pesë milionë euro veçmas: Manastirit (5.6 milionë euro), Tetovës (5.5 milionë euro), Kumanovës (5.3 milionë euro) si dhe Aerodromit (5.3 milionë euro), ndërsa afër këtyre shumave është Prilepi (4.4 milionë euro).
Më pak se 1% e projekteve i kanë në fokus të drejtpërdrejt gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara
Kur bëhet fjalë për vlerësimin e ndikimit të drejtpërdrejtë të projekteve infrastrukturore të miratuara mbi përmirësimin e kushteve për jetesë dhe punë të grave, të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara, mund të konstatohet se vetëm 11 prej 1116 projekteve, apo më pak se 1%, mund të identifikohen si projekte për këto grupe qytetarësh.
Nga këto 11 projekte, 10 janë për të rinjtë, 1 për grupet e margjinalizuara dhe asnjë për gratë.
Vetëm 9 komuna kanë projekte të këtilla, me vlerë totale prej 4.3 milionë euro, ose 3.8% të vlerës së projekteve të miratuara dhe ato janë:
Prokurimet publike për zbatimin e projekteve: kompanitë dominuese nëpër komunat ndaras, afatet e shkurta dhe afatet e gjata për pagesë
Për sa u përket prokurimeve publike që komunat i zbatojnë për realizimin e projekteve infrastrukturore të aprovuara nga Qeveria, tenderët e parë u shpallën dhe kontratat u nënshkruan kah fundi i vitit 2024.
Edhe pse tenderët veçmas nuk ishin çështje e kësaj analize, prapëseprapë mund të vërehet se në disa komuna vërehet praktika, kur një numër i vogël i kompanive të njëjta marrin pjesë dhe ato kompani t’i fitojnë tenderët.
Gjithashtu, çështje shqetësuese janë pagesat ndaj kompanive për punën e kryer si pjesë e këtyre projekteve. Konkretisht, për shumë nga tenderët nga transha e parë e projekteve të aprovuara në tetor të vitit 2024, ndërsa të shpallura dhe të ndara deri në fund të vitit të njëjtë ose në fillim të vitit 2025, afati i fundit për realizimin e kontratave ka qenë një vit ose deri në tremujorin e fundit të vitit 2025. Përkundër kësaj, pagesa për punët e kryera është paraparë të bëhet në periudhë prej 3 vitesh, përkatësisht në vitet 2025, 2026 dhe 2027. Për shumë pjesëmarrës në këto procedura, si nga autoritetet kontraktuese ashtu edhe nga operatorët ekonomikë, ishte e paqartë se si do të bëhej pagesa, pra kompanitë t’i mbarojnë punët e tyre dhe të investonin fondet e tyre në vitin 2025, ndërsa për këtë do të paguheshin gjatë një periudhe trevjeçare.
Gjithashtu, duke e pasur parasysh që pagesa për projektet është në periudhë prej tre vite, këto projekte kualifikohen si projekte zhvillimore, megjithëse shumë prej tyre nuk kanë karakteristika tjera të projekteve zhvillimore, përveç periudhës më të gjatë të pagesës. Këto janë projekte për riparimin, rindërtimin ose ndërtimin e rrugëve dhe intervenime të ngjashme lokale infrastrukturore.
Shpenzimet kapitale në buxhetet komunale u zmadhuan me një mesatare prej 92 % në vitin e zgjedhjeve
Paratë për komunat të miratuara nga Qeveria prej kredisë hungareze ishin një “injektim” i konsiderueshëm për komunat në muajt parazgjedhorë. Ato i rritën shumat e investimeve kapitale të komunave në buxhetet e vitit 2025, krahasuar me realizimin për vitin 2024, me një mesatare prej 92 %.
Ato gjithashtu kontribuuan për një rritje mesatare prej 36 % të buxheteve komunale në të njëjtin vit 2025 krahasuar me buxhetet e realizuara në vitin e mëparshëm. Projektet gjithashtu i rritën shumat për prokurimet publike të komunave, edhe atë me një mesatare prej 40 % në vitin 2024, krahasuar me vitin paraprak 2023.
Këshilli Fiskal i RMV-së, i cili jep mendim të detyrueshëm mbi buxhetet dhe rebalancet buxhetore, në mendimin e tyre kanë sugjeruar në dy faktorë rreziku në lidhje me këto fonde për komunat, në mendimin e tyrexi nga muaji qershori i vitit 2025 në lidhje me rebalancin e Buxhetit të vitit 2025.
“Grante kapitale të zmadhuara të shpërndara mbi bazë të drejtë, duke u udhëhequr nga parimi i zhvillimit të barabartë rajonal, siç thuhet në vetë rebalancin e buxhetit është një sinjal i mirë, por duhet të mbahet llogari për kapacitetin e komunave për realizimin e këtyre shpenzimeve, si dhe fakti që bëhet fjalë për një vit në të cilin duhet të mbahen zgjedhje lokale, kështu që mund të identifikohen dy faktorë rreziku:
Grantet e zmadhuara për njësitë lokale të interpretohen si një masë populiste për investime konkrete para zgjedhjeve dhe
Një situatë tjetër potenciale është që për shkak të zgjedhjeve dhe funksionalitetit të paplotë të komunave, një pjesë e madhe e këtyre fondeve mund të mos realizohen tërësisht ose mund të mos realizohen në mënyrë efikase.
Përveç kësaj, projektimet për grantet kapitale për komunat në vitet 2026 dhe 2027 janë dukshëm më të ulëta se shpenzimet e zmadhuara me rebalancin e buxhetit të vitit 2025.”
Sugjerimet nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve lokale 2025
Përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare që i vëzhguan zgjedhjet lokale, në raportet e tyre pas zgjedhjeve kanë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime zgjedhore.
Përfundimi i përgjithshëm është se fondet prej kredisë hungareze, të miratuara nga Qeveria për komunat ishin një “injektim” i konsiderueshëm për komunat në muajt parazgjedhorë. Për dallim nga promovimi i intensifikuar i projekteve në fillim, në vitet 2024 dhe 2025, thuajse nuk ka pasur asnjë njoftim të ngjashëm publik në lidhje me reduktimin e konsiderueshëm të fondeve për projektet pas zgjedhjeve lokale, as ndonjë sqarim për arsyet e reduktimit të mjeteve financiare.
