Kundërshtoi ndarjen territoriale, kryebashkiaku i Selenicës përballet me Ramën në festën e fshatit Vajzë

Nga Xh M
1,060 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Selenicë, 15 gusht Zhurnal.mk – Paradite, të gjithë drejtuesit e Bashkisë së Selenicës, të majtë e të djathtë, u bashkuan kundër qeverisë dhe projektit për të shkrirë Bashkinë e Selenicës, por në mbrëmje ata mikpritën Kryeministrin Edi Rama në festën e organizuar në fshatin Vajzë të Selenicës.

Edhe pse në atmosferë festive, përballja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, nuk i shpëtoi tensionit të krijuar për shkak të vendimit për të shkrirë Bashkinë e Selenicës.

“Vajza dhe Labëria kanë një pasuri të jashtëzakonshme. Këtu lart është vendi i mirë, është Amantia, është Ujëvara e Rasalit, është Ura e Bratit. Kryeministër, në fund kemi nxjerrë edhe ujë det këtu. Kështu që në Vërmik dhe Bashaj kemi edhe ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ne jemi munduar, që ashtu siç e ka famën të madhe Labëria, të madhe ta bëjmë bashkinë tonë”, tha Nertil Bellaj, kryetar i Bashkisë së Selenicës.

“Dua të përshëndes kryebashkiakun, Nertilin, dhe dua ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur bashkë. Dua të përshëndes edhe ministrin e Pushtetit Vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të parë si funksionon Bashkia Selenicë”, tha kryeministri Edi Rama.

Ditën e premte, Këshilli Bashkiak i Selenicës me unanimitet miratoi një deklaratë kundër bashkimit me Vlorën dhe shkrirjes së Bashkisë së Selenicës.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe kryepleqtë e fshatrave deklarojnë se projekti për shkrirjen e Bashkisë së Selenicës dëmton interesat e banorëve të zonës, duke këmbëngulur që Selenica të qëndrojë bashki më vete.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër