Londër, 15 gusht Zhurnal.mk – Një gabim i Policisë Metropolitane të Londrës ka ekspozuar adresat e emailit të 143 personave që kanë denoncuar abuzime seksuale nga Mohamed Al Fayed, ish-pronari i Harrods. Të dhënat u bënë të dukshme për më shumë se 150 persona që merrnin një përditësim mbi hetimet.
Sipas The Times, incidenti ndodhi më 11 gusht, kur policia u dërgoi denoncuesve informacionin mujor mbi ecurinë e hetimeve. Për shkak të një gabimi njerëzor, adresat e marrësve nuk u fshehën dhe u shfaqën për personat e tjerë në listën e shpërndarjes. Shkelja e privatësisë ndodhi në pesë email-e të ndryshme.
Policia Metropolitane kërkoi falje dhe bëri të ditur se personat e prekur u kontaktuan menjëherë. Rasti i është referuar Zyrës së Komisionerit për Informacionin (ICO), ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të brendshëm dhe po rishikojnë procedurat për të shmangur përsëritjen e incidenteve të tilla.
Në përditësimin e dërguar me email, policia njoftonte gjithashtu se tre persona të tjerë, të moshës 70 dhe 80 vjeç, janë marrë në pyetje nën dyshimet se mund të kenë ndihmuar në veprimtarinë e Al Fayed. Numri i personave të marrë në pyetje në kuadër të hetimit ka shkuar në shtatë.
Ky është incidenti i dytë i njohur që lidhet me ekspozimin e të dhënave të personave që kanë ngritur akuza ndaj biznesmenit egjiptian. Më herët, policia kishte dërguar gabimisht tek një person tjetër të dhënat personale të një gruaje që pretendonte se ishte trafikuar nga Al Fayed dhe përdhunuar nga një bashkëpunëtor i tij.
Mohamed Al Fayed, i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 94-vjeçare, është akuzuar për abuzime seksuale ndaj rreth 400 grave dhe vajzave gjatë disa dekadave. Shumë prej tyre kanë qenë punonjëse të bizneseve të tij, përfshirë dyqanin luksoz Harrods.
Hetimet vijojnë jo vetëm për personat që dyshohet se mundësuan abuzimet, por edhe mbi mënyrën se si autoritetet britanike trajtuan ndër vite denoncimet ndaj Al Fayed.
