Kurti në kazermën “Adem Jashari: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja epopenë e saj

Nga D. V.
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri Albin Kurti nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së tha se populli ka UÇK-në e UÇK-ja epopenë e saj e cila është ngritur përreth rezistencës së armatosur, raporton Ekonomia Online.

“Në historinë moderne të Kosovës Epopeja e UÇK paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovës përgjatë shekullit XX-të. Populli e ka UÇK-në  e UÇK-ja  e epopenë e saj e cila është ngritur përreth rezistencës të armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari 5, 6  dhe 7 mars 1998 si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha ai.

Ai tha se FSK po rreshtohet me ushtritë e NATO-s, e ku tha se rreshtimi i kuadrateve të ushtrisë së Kosovës, është ashtu siç mund ta ketë ëndërruar kryekomandanti Adem Jashari, atëherë kur ushtria e Kosovës ishte veçse një ide e nuk besohej.

“FSK sot rreshtohet me ushtritë e NATO-s, zbarkon misione që ndërtojnë dhe mirëmbajnë paqen kudo nëpër botë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, të nderuar pjesëmarrës, dhe po ngjan, nën urdhra dhe komanda të dhëna nga një kazermë ushtarake me emrin ‘Adem Jashari’, këtu ku jemi mbledhur sot, më 5 mars 2026, në ditët e para të Epopesë së UÇK-së, për ta kujtuar dhe nderuar pikërisht rezistencën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij. Përpara nesh janë rreshtuar kuadratet e Ushtrisë së Kosovës, ashtu siç duhet t’i ketë ëndërruar Adem Jashari dikur, në një kohë kur Ushtria e Kosovës ishte veçse një ide që besohej nga fare pak njerëz. Përballë tyre jemi të gjithë ne, qytetarë të vendit e zyrtarë të shtetit tonë, që çdo ditë e më shpesh po e dëshmojmë rritjen, ngritjen dhe përparimin e Ushtrisë së Kosovës. Kjo edhe si rezultat i investimeve milionëshe të qeverisë së Republikës në pajisje dhe sisteme të armatimit, në trajnime dhe shkollime të ushtarakëve tanë nëpër akademitë më të mira të vendeve të NATO-s, si dhe në strukturën dhe infrastrukturën e FSK-së”, tha Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër