Kurti takim me sekretaren e Jashtme britanike: Tri parakushte për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Nga D. V.
280 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 prill Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper në nisje të vizitës së tij zyrtare në Londër,

Në takim, kryeministri Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke e theksuar marrëdhënien e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë dhe prosperitetin evropian. Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, kryeministri Kurti theksoi rritjen e buxhetit dhe rishpërndarjen e drejtë të tij, si dhe vuri në pah fushat në zhvillim me theks sektorin e teknologjisë dhe atë të bujqësisë.

Kryeministri Kurti foli për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.

Në kuadër të zhvillimit demokratik, kryeministri e vlerësoi procesin e zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt.

Kryeministri Kurti theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si synime strategjike, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

Kryeministri Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiç, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë.

Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit.

/Kosovapress/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër