Kingji pret homologun italian, Portolano: Shqipëria, partner i besueshëm në operacionet ndërkombëtare

Nga D. V.
350 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 prill Zhurnal.mk – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti një ditë më parë në Tiranë, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, Gjeneral Luciano Portolano.

Gjatë takimit dypalësh gjenerallejtënant Kingji e njohu homologun italian me zhvillimet më të fundit në Forcat e Armatosura, duke u ndalur tek planet e modernizimit, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s.

Gjenerallejtënant Kingji shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm dypalësh me Forcat e Armatosura të Italisë si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në fusha të ndryshme të mbrojtjes.

Mbështetja e FA të Italisë është në veçanti e rëndësishme në arsimimin dhe trajnimin e personelit ushtarak, në trajnime dhe stërvitje, si dhe në pjesëmarrjen e përbashkët në misione dhe operacione të NATO-s.

Gjenerallejtënant Kingji konfirmoi angazhimin e FARSH për vijimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm, në planin bilateral, rajonal dhe në kuadër të NATO-s.

Nga ana e tij, gjeneral Luciano Portolano falënderoi gjenerallejtënant Kingjin për pritjen e ngrohtë duke vlerësuar njëkohësisht rolin dhe kontributin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Ai theksoi se Shqipëria përbën një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, si dhe një partner të besueshëm në operacionet ndërkombëtare.

Gjatë takimit, të dy homologët diskutuan mbi situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë edhe në të ardhmen.

Në vijim të vizitës zyrtare, gjeneral Portolano zhvilloi një vizitë në Regjimentin e Operacioneve Speciale, ku u prit nga komandanti i këtij regjimenti, kolonel Ajet Jata. Gjatë kësaj vizite, përmes një ekspozeje të detajuar, ai u njoh nga afër me strukturën, kapacitetet, pajisjet dhe armatimin e kësaj njësie elitare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Më herët, në kuadër të qëndrimit të tij në Shqipëri, gjeneral Luciano Portolano u prit në një takim zyrtar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Gjatë këtij takimi, u vlerësua roli i dy vendeve në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe u riafirmua angazhimi i përbashkët për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër