Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin për pranimin pjesërisht të kërkesës së gjyqtarëve për rritje të pagave.
Në 17 shkurt, Gjykata Kushtetuese vendosi që paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet, por ia la si detyrë Kuvendit të bëjë ndryshimet ligjore.
Ndërsa sot publikoi argumentet e plota të marrjes së këtij vendimi, i cili u mor me një dakordësi 7-1.
Sipas këtij vendimi, Kuvendi do duhet të miratojë ndryshimet ligjore brenda korrikut të këtij viti.
Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31 korrik 2026.
“Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës, duke mbajtur në vëmendje edhe faktin që inflacioni dhe situata ekonomike kanë efekt të njëjtë mbi të gjitha kategoritë e punonjësve, pavarësisht detyrës dhe funksionit që kryejnë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Dy shoqata gjyqtarësh kërkuan rritje të pagave. Sipas tyre pagat duhet të indeksohen automatikisht sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si garanci kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit.
