LDK pas aktgjykimit në Hagë: Asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësim për dënimet e shqiptuara dhe duke bërë thirrje për qetësi e maturi.

Në një komunikatë për media, LDK-ja ka thënë se e ka pritur me “shqetësim shumë të thellë” vendimin e sotëm, duke theksuar ndjeshmërinë e këtij momenti për qytetarët e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pritur me shqetësim shumë të thellë aktgjykimin e sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmasën e dënimeve ndaj tyre. Të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e këtij momenti për qytetarët e vendit, bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, thuhet në reagim.

LDK-ja ka theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave, duke përmendur rezistencën politike e paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova, luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

“Kjo trashëgimi është e përbashkët dhe përgjegjësia për ta ruajtur atë na takon të gjithëve”, thuhet në komunikatë.

Partia ka deklaruar se aktgjykimi i sotëm nuk mund ta ndryshojë atë që e cilëson si të vërtetën historike të luftës në Kosovë.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra”, thuhet më tej.

Sipas LDK-së, këto krime kanë qenë sistematike dhe pasojat e tyre vazhdojnë të rëndojnë mbi familjet kosovare.

“Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje. Përballë kësaj egërsie, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri”, thuhet në komunikatë.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, ka deklaruar LDK-ja.

Në reagim, LDK-ja ka ritheksuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës dhe ka kërkuar shterimin e të gjitha mundësive për ankimim ndaj vendimit.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës. Mbështesim pa rezervë kërkesën për shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe maturinë, ndërsa përfaqësuesve politikë u ka kërkuar përgjegjësi në deklarata dhe veprime.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi. U kërkojmë përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, të shmangin nxitjen e tensioneve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe të unitetit qytetar”, thuhet në reagim.

Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojnë bashkë përballë kësaj periudhe.

“Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, përfundon reagimi i LDK-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër