Shkup, 2 mars – Levica ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (DKSK), Cveta Ristovska, pasi ajo dha dorëheqje, për përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pasurisë.
– Cveta Ristovska, në kundërshtim me detyrimet nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit për deklarimin e plotë dhe të vërtetë të gjendjes pasurore, e cila përfshin pasurinë personale dhe atë të anëtarëve të familjes – edhe pse ishte e detyruar, nuk ka deklaruar dy kompani në pronësi të anëtarëve të familjes së saj. Është e qartë se bëhet fjalë për fshehje të vetëdijshme dhe të qëllimshme të pasurisë, nëse merret parasysh fakti se kompanitë që nuk i ka deklaruar Ristovska kanë marrë 2 milionë denarë nga arka e VMRO-DPMNE-së, dukshëm si shpërblim për mosveprimin e Ristovskës kundër funksionarëve të tyre. Kjo tezë konfirmohet edhe nga fakti se ish-antikorruptorja ka deklaruar pasurinë tjetër të fëmijëve të saj në formularin e anketës, por me vetëdije dhe qëllimisht ka lënë jashtë firmën që ekziston që nga viti 2020 – thonë nga partia.
Sipas tyre, dorëheqja e saj nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë rishikim të të gjitha lëndëve që ajo ka trajtuar.
– Ajo ishte instalim i drejtpërdrejtë i partisë në pushtet, e cila amnistoi dy funksionarë të lartë të partisë në pushtet – Bojan Hristovski dhe Ivica Tomovski – shtojnë nga Levica.
Dy lëndë kundër Cveta Ristovskës kanë hapur ish-kolegët e saj, pasi ajo nuk i ka deklaruar firmat e fëmijëve të saj në formularin e pasurisë, ndërsa një firmë e njërit prej djemve ka marrë para gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Kolegët e saj duhet të vendosin nëse ka pasur konflikt interesi dhe mosdeklarim të pasurisë.
Kryetari i DKSK-së, Adem Çuçulj, paralajmëron se së shpejti do të ketë vendime për lëndët që po zhvillohen ndaj Ristovskës, por edhe ndaj sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Ivica Tomovski.
Për Tomovskin u hap procedurë pasi opozitarja LSDM akuzoi se një kompani familjare e lidhur me drejtorin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, e cila kishte ndryshuar emrin, ka fituar gjithsej 161 tenderë, me vlerë rreth 5,5 milionë euro – para të qytetarëve.
