Levica: Nuk kanë humbur 4 milionë euro VMRO dhe LSDM siguruan 10 milionë për propagandë politike

Nga I.A
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Me skadimin e afatit për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, pushteti po e bind sërish opinionin se Maqedonia ka humbur rreth 4 milionë euro mjete evropiane për shkak të Levicës. Por, sipas partisë, po heshtet një pasojë shumë më e rëndësishme e dështimit të reformës: me mbetjen në fuqi të Kodit aktual Zgjedhor, mbetet edhe sistemi i reklamimit politik të paguar, përmes të cilit partitë më të mëdha do të ndajnë rreth 10 milionë euro mjete publike, reagojnë nga Levica.

“Gjatë gjithë procesit, Levica ishte e vetmja parti që këmbënguli në reforma thelbësore zgjedhore – një njësi zgjedhore dhe heqjen e reklamimit politik të paguar. Në vend që të diskutohej për temat e takimit të liderëve, për të cilat u formua Grupi i Punës, tema që nënkuptojnë demokratizim real të procesit zgjedhor, DPMNE në fund hapi çështjen e votimit të diasporës dhe e shpalli si vijë të vetme të kuqe. Çështje që nuk ishte fare pjesë e punës katërmujore të Grupit të Punës.

Veçanërisht hipokrite është fakti se pikërisht një njësi zgjedhore ishte një nga premtimet kyçe të DPMNE‑së. Për të ka folur edhe vetë Mickoski, dhe është e shkruar në programin e partisë. Në vend që ta realizonin reformën që ua premtuan votuesve të tyre, DPMNE e la mënjanë dhe e zëvendësoi me një temë që kurrë nuk ishte pjesë e diskutimeve në Grupin e Punës.”

Për të mos lejuar që reformat thelbësore të dështojnë sërish për shkak të kushtëzimeve politike, Levica ofroi kompromis.

“Pranuam që votimi me postë të zbatohet për zgjedhjet presidenciale, nëse DPMNE pranon një njësi zgjedhore. Me këtë ra poshtë i vetmi justifikim se pikërisht diaspora është pengesa për Kodin e ri Zgjedhor.

Pasi DPMNE e hodhi përgjegjësinë mbi opozitën, Levica mori iniciativën dhe i ftoi të gjitha subjektet opozitare në takim koordinues për harmonizimin e qëndrimeve rreth një njësie zgjedhore. SDSM refuzoi të marrë pjesë, pa sqaruar nëse ende qëndron pas angazhimeve të veta shumëvjeçare për një njësi zgjedhore.”

Sipas Levicës:

– Nuk ka Kod të ri Zgjedhor. – Nuk ka një njësi zgjedhore. – Nuk ka heqje të reklamimit politik të paguar. – Mbetet i njëjti model zgjedhor që prodhon vota të humbura, shpërndarje joproporcionale të mandateve dhe avantazh financiar për partitë më të mëdha.

Ndërsa opinioni dëgjon për mjete evropiane të humbura, Levica thekson se askush nga DPMNE dhe SDSM nuk flet për faktin se me mbetjen e Kodit të vjetër, mbetet edhe sistemi përmes të cilit partitë më të mëdha do të ndajnë rreth 10 milionë euro mjete shtetërore për reklamim politik të paguar.

Levica rikujton se në Grupin e Punës ka propozuar heqjen e reklamimit politik të paguar, sepse nuk pranon që shteti me para publike të krijojë parti të privilegjuara dhe të privilegjuara më pak.

“Qëndrimi ynë ishte i qartë – nëse nuk ka kushte të barabarta për të gjithë subjektet politike, atëherë nuk duhet të ketë reklamim politik të paguar për askënd. Ose rregulla të barabarta për të gjithë, ose asnjë cent publik për askënd.

Nëse me dështimin e Kodit të ri Zgjedhor mbeten sërish gjashtë njësitë zgjedhore që favorizojnë partitë më të mëdha dhe sistemi përmes të cilit ato do të ndajnë rreth 10 milionë euro për reklamim politik të paguar, atëherë kujt realisht i ka konvenuar të mos ketë reformë zgjedhore?”

Partia shton se skadimi i afatit nuk e liron pushtetin nga përgjegjësia.

Sipas Levicës, Kod i ri Zgjedhor mund të miratohet edhe nesër, nëse ekziston vullnet politik.

“Levica do të vazhdojë ta kërkojë këtë reformë derisa rregullat zgjedhore të mos shkruhen më sipas interesave të kartelëve politikë.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër