Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Besimi i qytetarëve në gjyqësi është ndër më të ulëtit në rajon. Kjo nuk është thjesht perceptim, por realitet i ndërtuar nga dekada vendimesh të kontestuara, procedurash të zvarritura, ndikimesh politike dhe skandalesh që kanë lënë plagë të thella në opinion. Sot, kur flitet për gjykata shumica e qytetarëve reagojnë me mosbesim, me skepticizëm, madje edhe me cinizëm. Megjithatë, ka raste kur një vendim i prerë, i argumentuar dhe i guximshëm rikthen një grimcë shprese se ky institucion delikat, ky pushtet i veçantë i shtetit, mund të funksionojë siç duhet. Vendimi djeshëm i Gjykatës së Apelit është një prej atyre momenteve të rralla, shkruan Zhurnal.
Apeli konfirmon burgun e përjetshëm: një mesazh i qartë për krimin e rëndë
Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Ljupço Palevski‑Pallçon, Velibor Manevin, Bore Videvskin dhe Vlatko Keshishevin katër personat e akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Ky është një prej rasteve më të rënda kriminale të dekadës së fundit, një histori që tronditi opinionin publik në nëntorin e vitit 2023, kur dy të rinjtë u raportuan të zhdukur dhe trupat e tyre u gjetën më 3 dhjetor.
Vendimi i Apelit lë në fuqi pjesën dënuese të aktgjykimit të Gjykatës Penale katër të akuzuarit do të vuajnë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji. Ky është një sinjal i fortë se për krimet e tilla monstruoze, shteti nuk mund të lejojë asnjë lloj kompromisi.
Sipas aktakuzës, rrëmbimi i Vanjës ishte planifikuar për të kërkuar shpërblim nga familja, ndërsa Pançe Zhezhovski dyshohet se u rrëmbye për shkak të automjetit të tij, i cili do të përdorej në planin kriminal. Një skemë kriminale e ftohtë, e llogaritur, e cila kërkonte përgjigjen më të ashpër të sistemit.
Në të njëjtën kohë, Apeli ka shfuqizuar vendimin lirues për Aleksandar Gjorçevskin, babanë e Vanjës, duke e kthyer lëndën për rigjykim. Ai akuzohet për ndihmë në rrëmbim pretendime që i ka mohuar vazhdimisht.
Ky vendim është po aq i rëndësishëm sa dënimi me burg të përjetshëm. Ai tregon se gjykatat nuk duhet të jenë të ngurta, nuk duhet të jenë të mbyllura ndaj rishikimit, nuk duhet të jenë të frikësuara nga korrigjimi i vetvetes.
Kur drejtësia funksionon, shoqëria merr frymë
Rasti Vanja dhe Pançe është një plagë e hapur për shoqërinë. Këto raste ekspozuan brutalitetin e krimit, por edhe dobësitë e institucioneve. Megjithatë, vendimi i sotëm i Apelit është një prej atyre momenteve kur sistemi tregon se mund të reagojë, mund të jetë i drejtë, mund të jetë i paanshëm.
Ky vendim nuk e shëron plagën, por e konfirmon një parim themelor krimi i rëndë duhet të marrë dënimin maksimal. Dhe kur kjo ndodh, besimi sado i brishtë fillon të rikthehet.
Drejtësia nuk është luks, është themel i shtetit
Në një vend ku shpesh kemi parë raste të montuara, hetime të dështuara, procedura të manipuluara dhe vendime të dyshimta, ky rast është një provë se gjyqësia mund të hyjë në binarë. Jo sepse është perfekte, por sepse ka kapacitet të korrigjojë të dënojë, të rishqyrtojë e të mos dorëzohet.
Kujtojmë që, drejtësia nuk është luks pasi drejtësia është themeli i shtetit. Dhe çdo vendim i tillë është një dritë në fund të tunelit, një dritë që tregon se sistemi mund të funksionojë nëse ka vullnet, profesionalizëm dhe integritet. /Zhurnal.mk
