Levica: Suksesi ekonomik nuk matet me statistika të bukura, por me jetën e qytetarëve

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – Levicë përmes një njoftimi kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski për theksimin e rritjes së BPV prej 4,3 për qind, duke vlerësuar se treguesit ekonomikë të paraqitur nga Qeveria nuk pasqyrojnë gjendjen reale me të cilën përballen qytetarët.

Nga partia theksojnë se ndërsa kryeministri flet për rritje statistikore, familjet përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta për ushqim dhe produkte bazë. Sipas tyre, vetë rritja e BPV nuk është tregues i mjaftueshëm për standardin e jetesës, pasi nuk tregon shpërndarjen e pasurisë së krijuar, as nëse qytetarët kanë të ardhura më të larta, shërbime publike më të mira dhe kosto më të ulët të jetesës.

Levicë vlerëson se një pjesë e madhe e fitimit të kompanive të huaja nxirret jashtë vendit, ndërsa aktiviteti ekonomik mbahet gjallë përmes huamarrjeve të reja. Ata e cilësojnë manipulativ paraqitjen e rritjes së BPV pa një pasqyrë më të gjerë të gjendjes ekonomike.

Kritika u drejtuan edhe ndaj mënyrës së prezantimit të të dhënave për industri, ku si shembull i përparimit nxirret industria përpunuese, ndërsa neglizhohen problemet në sektorë të tjerë të rëndësishëm, si energjetika.

Partia kundërshton pretendimin për “rritje galopante”, duke theksuar se shteti vazhdon të huazohet për të shlyer detyrimet e mëparshme.

“Maqedonia sot huazohet për të kthyer borxhet e mëparshme – merren kredi të reja dhe euroobligacione për të shërbyer detyrimet e vjetra”, thuhet në reagimin e Levicës.

Sipas tyre, ekonomi e qëndrueshme nuk mund të mbështetet në huamarrje të reja për shlyerjen e borxheve të vjetra. Si parakushte për zhvillim ekonomik përmendin investimet publike produktive, prodhimin vendor dhe ndërmarrjet publike efikase.

Levica si tregues shtesë për gjendjen ekonomike veçon strukturën e konsumit të familjeve, duke theksuar se pjesa më e madhe e të ardhurave shpenzohet për ushqim dhe produkte bazë, gjë që tregon se rritja ekonomike nuk po shndërrohet në standard më të mirë jetese.

“Suksesi ekonomik nuk matet sipas sa bukur kryeministri do ta paraqesë statistiken në konferencë për shtyp, por sipas faktit nëse qytetarët jetojnë më mirë”, përfundon kumtesa e Levicës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër