Shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) duhet të inkurajojnë të gjitha palët të përqendrohen në interesat e përbashkët, të zëvendësojnë konfrontimin me dialogun, të kapërcejnë ndarjen me përfshirjen dhe të kërkojnë zgjidhje efektive të problemeve, në mënyrë që të punojnë së bashku për të mbrojtur paqen dhe qëndrueshmërinë botërore, tha të martën kryeministri kinez Li Qiang në Takimin e 25-të të Këshillit të Krerëve të Qeverive (Kryeministrave) të Shteteve Anëtare të OBSh-së në kryeqytetin e Taxhikistanit Dushanbe.
Në këtë takim morën pjesë udhëheqës dhe përfaqësues nga shtetet anëtare të OBSh-së, të ftuar prej vendit pritës, si edhe krerë të organizatave ndërkombëtare përkatëse. Takimi u kryesua nga kryeministri i Taxhikistanit, Qohir Rasulzoda.
Li Qiang vuri në dukje se ky vit shënon 25-vjetorin e themelimit të OBSh-së. Ndërsa ideologji e rryma të ndryshme mendimi përplasen aktualisht në skenën ndërkombëtare, prirjet drejt një bote shumëpolare dhe globalizimit ekonomik mbeten kryesore. OBSh-ja duhet të vazhdojë të mbështesë “Frymën e Shangait”, duke u angazhuar jo vetëm për qëndrueshmërinë dhe lulëzimin rajonal, por edhe për të kontribuuar në zhvillimin e përbashkët të botës. Kjo kërkon këmbëngulje për të ndjekur objektiva afatgjatë. Shtetet anëtare të OBSh-së ndajnë aspiratën e përbashkët për të nxitur miqësinë, për të mbrojtur sigurinë dhe për të ndjekur zhvillimin së bashku. Ato duhet të mbeten të palëkundura, të qëndrojnë ngushtësisht të bashkuara dhe të ecin përpara me guxim.
Takimi i 25-të i Këshillit të Krerëve të Qeverive (Kryeministrave) të Shteteve Anëtare të OBSh-së në kryeqytetin e Taxhikistanit Dushanbe, 20 tetor 2026, Dushanbe,Taxhikistan /Foto nga CMG
Konkretisht, duhet të forcohen koordinimi dhe inovacioni pragmatik. Kina është e gatshme të punojë krah për krah me të gjitha shtetet anëtare të tjera për të rritur efikasitetin funksional të OBSh-së, për të konsoliduar e forcuar projektet e bashkëpunimit dhe për të shfrytëzuar rolin e tyre shembullor në nxitjen e një zhvillimi më cilësor brenda organizatës. Pala kineze është e gatshme të koordinohet me të gjitha palët për të finalizuar kornizat institucionale për “katër qendrat e sigurisë” dhe do të financojë trajnime në Kinë për 1 000 punonjës mjekësorë nga shtetet anëtare të OBSh-së, duke shtuar vazhdimisht mirëqenien e popujve të rajonit.
Li Qiang theksoi se, vitet e fundit, është shtuar thirrja ndërkombëtare për forcimin e multilateralizmit, si edhe për reformimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale. OBSh-ja duhet të përpiqet të bashkojë më shumë partnerë ndërkombëtarë dhe të luajë një rol aktiv në arenën globale, duke i kushtuar më shumë rëndësi kërkimit të pikave të përbashkëta, respektimit të dallimeve dhe kapërcimit të divergjencave. Ai propozoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, promovimin e integrimit ekonomik rajonal, ndërtimin e korridoreve për transportin ndërkombëtar të qëndrueshëm dhe elastikë, për të siguruar qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit globalë. Shtetet anëtare duhet të kërkojnë interesat e përbashkët mes kërkesave të ndryshme, duke punuar së bashku për të mbrojtur paqen dhe qëndrueshmërinë botërore, duke nxitur gjithashtu harmoninë dhe bashkëjetesën pavarësisht dallimeve kulturore.
Foto nga VCG
Ndërsa përfaqësuesit e palëve të tjera pjesëmarrëse vunë në dukje që, në 25 vitet që nga themelimi i saj, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) ka vazhduar të rritet dhe të forcohet, dhe ndikimi i saj ndërkombëtar ka qenë në rritje të vazhdueshme. Ata theksuan nevojën për të zbatuar në mënyrë aktive rezultatet e samiteve në Tianjin dhe Bishkek, për të promovuar më tej “Frymën e Shangait”, për të përmirësuar komunikimin e koordinimin dhe për të çuar përpara zhvillimin me cilësi të lartë të këtij mekanizmi, duke dhënë kështu kontribute më të mëdha për paqen dhe zhvillimin në rajon dhe në botë.
Pas takimit, udhëheqësit pjesëmarrës nënshkruan e publikuan një komunikatë të përbashkët. Ata gjithashtu miratuan dokumente bashkëpunimi për fusha të tilla si tregtia e investimet, industria e lidhshmëria, si edhe rezoluta lidhur me zhvillimin e organizatës.
