Shkup, 2 shkurt – Propozim ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve në ENER, pritet të sjell ndryshime rrënjësore ose siç janë shprehur nga Ministria e Arsimit një epokë të re për universitetet në vend. Megjithëse materiali i propozim ligjit është voluminoz, mesazhi duket se është i qartë kriteret për të mbajtur titullin “profesor” do të jenë më të vështira kundrejt atyre që ishin deri më tani.
Propozim ligji, i cili pritet të kalojë në filtrat e Kuvendit, konfirmon se autonomia e fakulteteve mbetet e paprekur. Ligji u jep njësive universitare të drejtën të veprojnë si persona juridikë, me llogari të veçanta bankare dhe pavarësi të plotë në menaxhimin e të ardhurave vetanake. Megjithatë, Ligji i ri vendos një filtër ndërkombëtar për avancimet. Për të marrë titujt shkencorë, akademikët do të detyrohen të publikojnë punime në revista me faktor ndikimi.
Çdo punim që nuk kalon recensionin e bordit editorial nga të paktën pesë shtete të ndryshme, nuk do të njihet si vlerë shkencore. Gjithashtu, Propozim ligji parashikon që pagat e stafit akademik dhe administrativ të llogariten sipas një koeficienti të caktuar bazuar në pagën minimale.
Kjo do të thotë se profesioni i profesorit nuk do të varet më nga vullneti politik apo marrëveshjet vjetore, por do të ketë një rritje të vazhdueshme, sa herë që rritet paga minimale në nivel shtetëror, automatikisht do të reflektohet rritja edhe në universitetet publike. Ligji parashikon mbrojtje strikte të hapësirës universitare. Policia nuk do të mund të shkelë në universitet pa lejen e Rektorit, ndërsa çdo lloj organizimi apo simboli partiak brenda mureve të dijes do të ndalohet me ligj.
Për studentët, lajmi i mirë është Arsimi dual dhe Mikro kualifikimet. Ky model i ri do të lejojë që diploma të mos mbetet vetëm teori në letër, por të jetë e kombinuar me praktikë të detyrueshme në kompani apo institucione, duke rritur shanset për punësim të menjëhershëm. Ky propozim-ligj mbetet i hapur për komente në ENER, ku komuniteti akademik dhe studentët kanë mundësinë e fundit për të korrigjuar apo plotësuar atë që do të jetë kushtetuta e re e dijes në vend. /alsat.mk

