Limaj viziton Kilajn pas shpalljes së pafajësisë: Të angazhohemi për kthimin e të gjithë bashkëluftëtarëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar sot ish-bashkëluftëtarin e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilajn, pas shpalljes së pafajësisë së këtij të fundit.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj ka bërë të ditur se Kilajn e ka vizituar së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke e përgëzuar për qëndresën gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

“Isniu, sikurse shumë bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, për një kohë të gjatë u përball me një proces të padrejtë në Hagë, duke kaluar një periudhë të vështirë për të dhe familjen e tij. Sot, pas shpalljes së pafajësisë, pata kënaqësinë ta takoj dhe ta përgëzoj për qëndresën e tij”, ka shkruar Limaj.

Ai ka theksuar se angazhimi për drejtësi dhe kthimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore duhet të vazhdojë.

“Duhet të punojmë me çdo mjet demokratik dhe juridik që, në shkallën e apelit, të vërtetohet pafajësia e katër drejtuesve të UÇK-së dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë që po përballen me këto procese, në mënyrë që të gjithë të kthehen të pafajshëm në Kosovë”, ka deklaruar Limaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër