Tiranë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako mori pjesë sot në homazhet që u zhvilluan në përkujtim të të rinjve luftëtarë dhe patriotë, të cilët më 20 nëntor 1943 u morën me dhunë nga qyteti dhe u dërguan në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonia përkujtimore u mbajt pranë lapidarit të ngritur në Shkozet, në vendin ku ndodhi ngjarja tragjike, në nderim të kujtimit të të rinjve që u përballën me internimin dhe represionin nazist.
Sako shprehu mirënjohje për qëndresën dhe sakrificën e tyre, duke vlerësuar kontributin e të rinjve që dhanë jetën në emër të lirisë së Shqipërisë.
“Sakrificat e tyre mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Mirënjohje dhe respekt për të ata të rinj që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën në burgjet dhe kampet naziste të përqëndrimit”, tha Sako.

