LSDM: Arresti shtëpiak për Grubin është vula e marrëveshjes në mes OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së

Nga D. V.
482 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shkurt – Partia opozitare maqedonase LSDM, ka reaguar për shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Artan Grubit, me çka thonë se “sundimi i ligjit është varrosur plotësisht”.

Nga LSDM thonë se marrëveshja midis OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së po realizohet para syve të opinionit.

“Pas teatrit në kufi, me kthim të dakorduar dhe xhirime të inskenuara, ku pamë Grubin të vinte duke buzëqeshur, me syze, vijoi arrest shtëpiak. Përcaktimi i arrestit shtëpiak për Grubin është konfirmim se gjithçka ishte dakorduar. Kjo është arsyeja pse prokuroria dhe gjyqësori u vunë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Mickoskit dhe OBRM-PDUKM, për të cilin LSDM ka folur prej muajsh. Ata ndryshuan prokurorin publik, zgjodhën gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin e tyre”.

“Ata emëruan gruan e një ish-kryetari të OBRM-PDUKM-së si anëtare të Këshillit Gjyqësor, këshilltaren e Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese, dhe zgjodhën një ish-zëvendësministër të OBRM-PDUKM-së si prokurore të përkohshme. Ata emëruan Daniela Dimovska si kryetare të përkohshme të Gjykatës Penale. Mbrëmë pamë pse. Të jetë një hallkë në duart e qeverisë, një instrument për zbatimin e vendimeve politike të Mickoskit dhe OBRM-PDUKM”.

“Si vendimi për arrest shtëpiak, ku përgjegjësia i takon prokurorisë dhe gjyqësorit. Edhe pse ai u arratis një herë, dje prokuroria kërkoi masë më të butë se masa e paraburgimit e përcaktuar më parë. Imagjinoni, ai u arratis një herë, dhe tani prokuroria po kërkon zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë arresti shtëpiak. Kush është prokurori në fjalë në këtë rast? Daniel Kocev. Dhe shefi i tij? Prokurori Anel Fidoski. Ai u zgjodh në këtë pozicion më 20 janar 2026 si kreu i prokurorisë më të madhe në vend, pra 1 muaj më parë. Kush nuk e kupton më këtë skenar? Kemi dy muaj që flasim për këtë”.

“Ardhja e Grubit ishte padyshim e kurdisur. Së pari, marrja e kontrollit të plotë të prokurorisë me një menaxhim të ri, dhe pastaj realizimi i marrëveshjes midis OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së. Për më tepër, pamë se i gjithë sistemi i burgjeve kapitulloi para marrëveshjeve politike. “Siguria e tij nuk mund të garantohej”, kështu që e lanë të shkonte në shtëpi”, thonë nga LSDM.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër