Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Ndërtimi i Qendrës së re Klinike sërish u bë temë e përplasjes së ashpër politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, pasi të dyja partitë shkëmbyen akuza për përgjegjësinë e mosrealizimit të këtij projekti kapital shëndetësor, raporton TV21, transmeton Zhurnal.
Nga LSDM akuzuan se kryeministri aktual Hristijan Mickoski po jep sërish premtime për Qendrën e re Klinike, edhe pse, sipas tyre, pikërisht VMRO-DPMNE në të kaluarën e ka bllokuar realizimin e projektit. Partia kujtoi se në vitin 2021 ishin dorëzuar mbi 2.000 amendamente, të cilat, siç pretendojnë, kishin për qëllim të pengonin ndërtimin e kompleksit të ri shëndetësor. LSDM shtoi se lokacioni i paralajmëruar pranë qendrës sportive “Boris Trajkovski” nuk është i përshtatshëm për një objekt të tillë, ndërsa ngritën dyshime edhe për mënyrën e sigurimit të tokës.
Nga opozita vlerësuan se paralajmërimet për Qendrën e re Klinike, ashtu si edhe për projekte të tjera kapitale, janë pjesë e premtimeve parazgjedhore pa bazë reale.
VMRO-DPMNE reagoi duke theksuar se pikërisht ish-qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk arritën ta realizojnë projektin, edhe pse, sipas tyre, trashëguan një projekt të gatshëm me 128 milionë euro të siguruara. Në vend të realizimit, thonë ata, u dhanë vetëm premtime të reja dhe u paralajmëruan shuma më të larta për ndërtim, pa veprime konkrete në terren.
Partia në pushtet shtoi se aktualisht po punohet në disa projekte shëndetësore, si Klinika e Shtipit, konvikti studentor dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Qendra Shëndetësore në Kërçovë dhe Klinika e Tetovës. Sa i përket Qendrës së re Klinike, VMRO-DPMNE theksoi se po shqyrtohet lokacioni pranë pishinës “Boris Trajkovski”, që do të mundësonte formimin e një kompleksi modern shëndetësor së bashku me spitalin “8 Shtatori” dhe poliklinikën “Bukuresht”.
Ndërsa LSDM akuzon për premtime joreale dhe procedura të dyshimta, VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet se pikërisht ish-qeveria është përgjegjëse për ngecjen e projektit. Kështu, çështja e Qendrës së re Klinike mbetet një nga temat kryesore të përplasjes politike mes pushtetit dhe opozitës.
